Connect with us

Shkrime

Marrëveshja Kosovë-Serbi shkon në OKB

Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar si një arritje e rëndësishme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Por fakti që ajo nuk është nënshkruar dhe retorika e liderëve të dy vendeve që nuk kanë shfaqur në thelb ndonjë ndryshim qëndrimesh për çështjet më të mprehta, kanë krijuar paqartësi lidhur me ecurinë e mëtejshme.

Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se marrëveshja për rrugën e normalizimit është sa kritike, edhe e brishtë dhe për këtë arsye ajo kërkon gjithë mbështetjen e mundshme.

“SHBA dhe BE ndajnë përgjegjësi. Ata nuk mund të distancohen nga kjo marrëveshje dhe nuk mund të drejtojnë gishtin vetëm nga Serbia dhe Kosova, të cilat natyrisht kanë përgjegjësi kritike. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë përgjegjësi shumë të rëndësishme pas kësaj marrëveshjeje”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Sipas Joseph,  dështimi I marrëveshjes do të kishte pasoja të rënda. Ai tha se është gabim i madh të thuhet se në fund të fundit vendimi u takon Beogradit dhe Prishtinës

“Jam vërtet i zhgënjyer kur dëgjoj zyrtarë  të lartë dhe të aftë si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, që përdorin retorikë standarde, që u takon palëve, është në dorën e palëve. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është e vërtetë. Kjo marrëveshje quhet propozim i BE-së dhe aty ka detyrime për BE-në dhe SHBA ë e ka nxitur atë. Nuk duhet të ketë një retorikë të tillë”. – theksoi profesori amerikan

Joseph tha gjithashtu se Perëndimi duhet gjithashtu që të veprojë me vendosmëri për t’u dhënë fund mëdyshjeve nëse marrëveshja është e detyrueshme ose jo.

“BE-ja duhet ta eliminojë këtë paqartësi dhe mund ta bëjë këtë shumë thjesht, duke e regjistruar këtë marrëveshje në Kombet e Bashkuara”, u shpreh ai, teksa shtoi se në këtë mënyrë eliminohen hijet e dyshimit për respektimin e detyrimeve nga të gjitha palët dhe përveç kësaj, do të ishte një sinjal inkurajimi për Kosovën.

“Kjo është shumë e rëndësishme sepse Kosova ka hapin e parë, hapin e madh, një hap vendimtar për të marrë dhe që siç e kam thënë është në fakt i parakohshëm, por është një detyrim dhe ky është formimi i këtij vetëmenaxhimi apo Asociacioni, siç është quajtur me të dyja emërimet. Pra, është shumë e rëndësishme t’i jepet besim dhe një shtysë Kosovës e cila ka obligimet e para”.

Joseph u shpreh gjithashtu i zhgënjyer me qëndrimet e vendeve mosnjohëse pas marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

“Sugjerimi im për t’u dhënë atyre një shtysë është që Ukraina duhet ta njohë Kosovën dhe kjo do ta transformojë të gjithë çështjen”, thotë profesori I Universitetin Johns Hopkins

Dhe teksa presidenti serb Aleksander Vucic i jep përparësi Asociacionit, kryeministri I kosoves Albin Kurti ka thënë se emergjence e zbatimit sipas marrëveshjes është vetëm çështja e personave të zhdukur me forcë.

Mbi 1600 persona rezultojnë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Edhe pse diplomacia perëndimore po e përqendron vëmendjen tek e ardhmja e marrëdhënieve mes dy vendeve, vetëm disa ditë më parë përvjetori i fushatës së NATO-s ndaj regjimit te Milloshevic, ringjalli kujtime të ndryshme për dy vendet.

Joseph mendon se shumë diplomatëve që shkojnë në rajon u pëlqen të thonë shprehjen “mos mendoni për të kaluarën, thjesht shikoni të ardhmen”, por sipas tij, e gjitha kjo është diçka shumë jorealiste.

“Mund ta imagjinosh ta thuash këtë në Ukrainë pas luftës? Imagjino edhe pesë, 10 vjet, 20 vjet pas luftës, a mund ta imagjinosh të shkosh në Ukrainë dhe të thuash ‘thjesht harro të kaluarën dhe shiko nga e ardhmja me Rusinë’?”, pyeti Joseph.

Ai morri shkak për komentet e tij nga një shprehje ngushëlluese e ambasadorit amerikan në Beograd Chris Hill, për viktimat serbe të bombardimeve të NATO-s, çka nga ana njerëzore siç tha ai, është e kuptueshme.

“Ambasadori Hill përdori saktësisht të njëjtat fjalë që përdori Joe Biden kur ishte nënpresident kur shkoi në Beograd në vitin 2016.  Pastaj pamë se shtatë vjet më vonë, fjalët e nënpresidentit Biden nuk patën asnjë ndikim në Serbi. Thjesht Vuçiç dhe të tjerët thanë ‘faleminderit shumë, ne jemi viktimat’”, tha ai.

Joseph kujtoi se ish-presidenti Hashim Thaçi ndodhet tani në Hagë bashkë me ish-drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që nga qytetarët e Kosoves shihet si vënie e shenjës së barazimit me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës.

 

 

Advertisement