Kosova
Marrëveshja në Ohër/ Hill: Zbatimi më i rëndësishëm se nënshkrimi
“Marrëveshja që Serbia dhe Kosova arritën në Ohër është ligjërisht e detyrueshme dhe pa nënshkrim”. Kështu u shpreh ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.
Hill deklaroi se një nga elementët kyç të Marrëveshjes, është që detyrimet e të dyja palëve janë pjesë e procesit të integrimit evropian.
Ai theksoi se është bërë e qartë se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është urgjent dhe i rëndësishëm, duke kujtuar se ky është një detyrim i pranuar nga Kosova, Serbia dhe BE-ja 10 vjet më parë.
“Nga këndvështrimi i publikut serb, është shumë e rëndësishme që organizatat ndërkombëtare, si BE-ja, të kenë një marrëveshje të cilës duhet t’i përmbahen dhe të sigurojnë zbatimin e saj. Unë kam qenë i përfshirë në shumë negociata ku nuk ka pasur nënshkrim në fund të procesit. E di që ka shumë diskutime për këtë, por nuk mendoj se është shumë e rëndësishme. Çështja e vërtetë është të vazhdohet me zbatimin dhe kjo do të jetë interesante për t’u parë në javët dhe muajt e ardhshëm”, nënvizoi ambasadori.