Aktualitet
Marrëveshja Rama-Meloni për kampet në Lezhë, 15 vende të BE-së kërkojnë detaje
Media britanike, Sky News ka parë nga afër punimet në kampet e emigrantëve në Lezhë.
Sipas hulumtimit të Sky News 15 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian i kanë kërkuar Italisë detajet e skemës për ndërtimin e qendrave.
“Hulumtimi ynë sugjeron se 15 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Italisë të ndajë detajet e skemës së tyre. Zyrtarët italianë kanë refuzuar të thonë se sa do të kushtojë projekti, por ne e kuptojmë se marrëveshja pesëvjeçare do të kushtojë pothuajse 1 miliard euro.” -shkruan artikulli.
Më tej në artikull thuhet se qendra fillestare e pritjes së emigrantëve përbëhet nga rreth 70 persona, duke përfshirë oficerë policie italianë dhe kontraktorë privatë që menaxhojnë të dyja qendrat.
“Menaxheri i policisë së shtetit italian, Evandro Clementucci, mbikëqyr qendrën dhe na tregoi rreth dhomës së kontrollit e cila monitoron 40 kamera CCTV në gardhin metalik me perimetër pesë metra të lartë.” –shkruan Sky News.
Rrjeti britanik ka ironizuar faktin që zyrtarët në vendin tonë, por edhe nga Italia, janë shprehur se qendra në Gjadër do të jetë gati “brenda disa javësh”.
“Ne pamë gjithashtu zona pritjeje, objekte mjekësore, dushe dhe parking për autobusët që do të nisen për në Gjadër. Gjatë udhëtimit 25-minutësh atje, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, hodhi poshtë çdo krahasim me skemën e dështuar të azilit të Mbretërisë së Bashkuar në Ruandë.” –shkruhet në artikull.