Kosova
Marrëveshja të zbatohet edhe pa nënshkrim/ Flet Hovenier
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, së fundmi është përkujdesur të përçojë mesazhe për të gjitha palët e interesit përsa i përket procesit të normalizimit me Serbinë, Asociacionin dhe sigurinë në Veri të Kosovës.
Hovenier ka përsëritur kërkesën e treshes evropiane, Scholz, Macron e Meloni lidhur me nevojën urgjente për të lëvizur drejt themelimit të Asociacionit dhe dhënies së njohjes de-facto nga Serbia.
Ambasadori amerikan ka theksuar rëndësinë që ka fakti se përfaqësues të pesë shteteve evropiane janë angazhuar në hartimin e një draft-statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe letrën e treshes evropiane Scholz, Macron e Meloni. Sipas tij, është diçka e jashtëzakonshme që këto vende po investojnë për të parë teksa Kosova është duke ecur përpara dhe duke ndihmuar Kosovën për të përmbushur obligimin e Asociacionit. Diplomati amerikan ka përmendur gjithashtu edhe obligimin e Serbisë për njohjen de-facto të Kosovës.
Teksa ka përmendur kornizën mbi të cilën SHBA përkrah themelimin e Asociacionit, ai ka potencuar se është e rëndësishme që të pranohet Drafti dhe më pas të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, meqë është në përgjegjësi të Kushtetueses dhe se askush tjetër s’mund të japë verdikt nëse Drafti është kushtetues apo jo.
Hovenier ka folur edhe për qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti, se “pa nënshkrim nuk ka zbatim”. Diplomati amerikan ka potencuar qëndrimin e SHBA-së se “mund të ketë zbatim dhe pa nënshkrime”. Ambasadori ka thënë e përsa i përket SHBA-së, obligimet që kanë marrë Kosova dhe Serbia i konsiderojnë ligjërisht obligative.