Connect with us

Aktualitet

Martesat në krizë/ Emigracioni dhe dhuna dyfishojnë kërkesat për divorc

Emigracioni dhe dhuna në familje kanë dyfishuar kërkesat për zgjidhje martese në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë.

Sipas avokatëve, paditë më të shumta janë nga çiftet, ku bashkëshortët jetojnë prej një kohe të gjatë në emigracion, çfarë i ka humbur kuptimin bashkëjetesës dhe familjes.

“Nga praktika dhe eksperienca ime, shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve bëjnë zgjidhjen e martesës në Shqipëri, ka një përqindje rreth 30%, ndërsa pjesa tjetër janë qytetarët që jetojnë dhe banojnë në qarkun e Korçës”, shprehet avokati Mateo Balli.

Divorcet po prekin në masë të konsiderueshme edhe çiftet e reja, tek të cilët, problemet ekonomike, por edhe dhuna në familje, përbëjnë arsye për të ndërprerë bashkëjetesën.

“Sa i përket shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, të gjithë që krijojnë një zgjidhje martese fëmijët e tyre janë në një moshë tepër të vogël. Jo më të mitur, nënkuptohet të mitur, por janë në moshë sapo kanë filluar dhe kanë krijuar familje dhe kanë sjellur në jetë fëmijët e tyre, katër, tre, dy vjeç dhe nisin problematikat e para, duke ditur që dhe fëmija ka nevojat e tyre specifike, si ekonomike, si sociale, si shoqërore si dhe në botëkuptimin e familjes. Në rastin më të madh, pretendohet që është ushtruar dhe dhunë. Bëhet fjalë për 99% të rasteve që bashkëshorti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe janë në anën e kundërt”, thotë Balli.

Për vitin 2024, në Gjykatën e Korçës janë depozituar 750 padi me objekt zgjidhje martese. Krahasuar me vitin 2023, ku ka pasur 402 kërkesa për zgjidhje martese, numri i divorceve ka pësuar rritje të ndjeshme.

Ekspertët e drejtësisë ngrenë shqetësimin, se numri i lartë i divorceve ka sjellë pasoja, jo vetëm tek institucioni i martesës dhe familja, por po ndikon edhe mirërritjen e fëmijëve të çifteve.

Advertisement