Kronike
Masakra e Dobraçit me 4 viktima, vetëdorëzohen në Polici dy autorët e dyshuar (EMRAT)
Vetëdorëzohen në Policinë e Shkodrës, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani. Dy nga të rinjtë e shpallurit të kërkim policor për masakrën e Shkodrës janë vetëdorëzuar në shoqërimin e avokatit Sokol Tahiraj. Përveç masakrës së Shkodrës, emrat e tyre janë përfolur si të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Aktualisht, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë ‘në duar’ për të hetuar masakrën e Dobraçit pasi Prokuroria e Shkodrës ka dyshime të forta se atentati është porositur, organizuar dhe finalizuar nga një grup kriminal. Në ngjarjen e ndodhur në 30 tetor, Hamza Lici humbi jetën në timon për shkak të një plumbi që mori në zemër, ndërsa makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha.
66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës. Në mjet bashkë me Licin ishte dhe Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë gjithashtu në spital disa orë pas ngjarjes për shkak se kishte marrë një plumb në kokë.