Bota
Masakra në spitalin në Gaza, mbi 500 viktima, Izraeli publikon videon, ishte raketë palestineze
Një masakër në një spital në Rripin e Gazës u ka marrë jetën mbi 500 civilëve të pafajshëm. Spitali ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, kur u godit nga një raketë që sipas autoriteteve palestineze u ka marrë jetën të paktën 500 personave. Hamasi dhe Izraeli akuzojnë njëri-tjetrin për sulmin, ndërsa ushtria izraelite ka publikuar një video të momentit kur raketa bie mbi spital, duke pretenduar se është një raketë palestineze. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka shpallur tre ditë zie. Ndërkohë, presidenti i SHBA, Joe Biden pritet të mbërrijë sot në Izrael. Samiti në Jordani u anulua papritur pas maskrës në spitalin e Gazës. “Pas konsultimit me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe në dritën e ditëve të zisë të shpallura nga Presidenti Abbas i Autoritetit Palestinez, Presidenti Biden do të shtyjë udhëtimin e tij në Jordani dhe takimin e tij të planifikuar me këta dy liderë dhe presidentin egjiptian Sisi”, thuhet në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. Ministria Palestineze e Shëndetësisë thotë se që nga fillimi i luftës janë 3200 viktima dhe 11 mijë të tjerë të plagosur.