Connect with us

Kronike

Masakroi me thikë turistin për kalin, autori kreu vrasje 25 vite më parë, por s’bëri asnjë ditë burg

Kristo Mema (alias Kontandin Hoxha) 63-vjeç, vrau mesditën e 28 tetorit 42-vjeçarin Keli Hoxha, në kalanë e Beratit, pas sherrit banal për kalin. Me thikën që mbante në samarin e kalit, vrau pa mëshirë 42-vjeçarin nga Tirana, në sy të famljarëve të tij.

Por, nga hetimet e kryera rezulton se për Kristo Memën, ky nuk qenka krimi i parë. 63-vjeçari ka një të shkuar kriminale. Në vitin 1993 ai kishte kryer një tjetër vrasje po në Berat, kur kishte goditur fqinjin e tij me thikë pas një zënke për motive banale. Pas asaj ngjarjeje, ai ishte larguar në Greqi për rreth 25 vite, ku dhe ka ndërruar identitetin dhe përdorte emrin Kontandin Hoxha.

Për krimin e parë, 63-vjeçari nuk ka vuajtur asnjë ditë burg, pasi dënimi ishte parashkruar me kalimin e viteve. Ndërsa, lidhur me krimin e fundit, Gjykata e Beratit i caktoi sot masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Por si ndodhi ngjarja, sipas dëshmisë së autorit?

Autori Kristo Mema (alias Kontandin Hoxha) ka deklaruar para hetuesëve se pasi ka parë, turistin Keli Hoxha që preku me dorë kalin i ka thënë që mos ta prekte më, pasi kali, sipas tij, nuk ishte mirë dhe ishte i acaruar. 63-vjeçari pretendon se pas kësaj, viktima e ka sharë nga familja dhe e ka ofenduar. Më pas, siç pretendon ai, në gjaknxehtësi e sipër ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka qëlluar për vdekje. E gjithë skena e rëndë ka ndodhur në sy të familjarëve dhe fëmijëve të viktimës.

Po familjarët e viktimës çfarë deklaruan?

Nga ana e tyre, familjarët e viktimës, kanë deklaruar në polici se sherri filloi vetëm pse viktima i kishte prekur kalin me dorë. Ata kanë deklaruar se familjari i tyre nuk e ka sharë dhe as ofenduar, por pronari i kalit e ka qëlluar me thikë papritur, pasi i kishte thënë “mos e prek kalin” dhe viktima i ishte përgjigjur “s’ka asgjë të keqe”.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 të pasdites së 28 tetorit, në lagjen “Kala” në Berat. Viktima Keli Hoxha, 42-vjeç,banues në Tiranë dhe lindur në Tropojë, nuk mundi dot t’i mbijetojë plagëve të marra dhe gjeti vdekjen sapo mbërriti në Spitalin Rajonal Berat. Autori u kap disa orë më vonë, i fshehur në “shpellën e memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit.

Advertisement