Rajon
MASTER SHEF i mashtrimit/ Vuçiç fiton pikë te Amerika
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Serbia do gjejë mënyra për ta ndihmuar popullin serb në Kosovë ku dje sërish është ndalur transporti i dinarëve, duke theksuar se kjo lëvizje flet për synimet finale të Prishtinës.
Ai ka thënë se Prishtina ka gënjyer partnerët e vet perëndimorë që vendimi për ndalimin e dinarit do të shtyhej.
“Kam pasur të drejtë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizates se Kombeve te Bashkuara se asnjë lloj anulimi nuk do të ndodhë pasi ata mashtrojnë partnerët e vet ndërkombëtarë se do të pezullojnë vendimin dhe do ta lënë dinarin në funksion për dy apo tre muaj të tjerë”.
“Në përputhje me këtë do reagojmë dhe do shikojmë sesi do ta ndihmojmë popullin tonë në Kosovë” – ka thënë presidenti serb.
Kujtojmë se Presidenti i Serbisë, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara , në mungesë të argumentave të mëtejme kundër Kosovës, falënderoi “109 shtetet anëtare” të OKB-së që ende nuk e njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ai gjithashtu tentoi gjithashtu te paraqesë edhe disa “fakte dhe argumente” për ngjarjet në veri.
Duke komentuar ndalimin e autoblindës së kompanisë britanike ‘Henderson’ nga autoritetet e Kosovës që transportonte dinarë përtej kufijve ndërshtetëror, ai deklaroi se Serbia angazhoi një kompani britanike për bartjen e parave pikërisht për të treguar transparencën e Serbisë për këtë çështje dhe mohoi se Serbia mbështet kriminelët dhe terroristët.
Gjithashtu para OKB-së, ai përmendi edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – duke njoftuar se Serbia nisi një proces hetimor dhe pritet të ketë edhe aktakuza, porse njëkohësisht nënvizoi se “integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë” në bazë të rezolutës 1244 të OKB-së.
Ambasadori i Serbisë në OKB dorëzoi të hënën e kaluar një kërkesë për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për “krizën e dinarit” dhe “situatën e përgjithshme” në Kosovë që, sipas pretendimeve të Serbisë, është në “kontrast të madh” me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit së cilës i referohet Serbia në diskutimet për Kosovën.