Aktualitet
Matura 2024/ Nesër provimi i gjuhës së huaj, ministrja lë porositë: S’ka tolerancë nëse shkelet rregullorja
Një ditë përpara fillimit të provimeve të maturës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka vënë theksin tek zbatimi me përpikmëri i rregullores së Maturës Shtetërore.
Këtë ministrja e bëri me dije, gjatë një takimi që zhvilloi sot me monitoruesit që do të ndjekin nga afër provimet e maturës që do të nisin më 3 qershor me provimin e gjuhës së huaj. Më 10 qershor do të zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa më 18 qershor provimi i matematikës.
“Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh,” theksoi Ministrja Manastirliu.
Manastirliu deklaroi se do të ketë një angazhim maksimal nga ana e punonjësve të arsimit, ndërsa kërkoi që procesi të jetë sa më transparentë.
Për mbarëvajtjen e procesit të provimeve do të jenë rreth 1900 administratorë, të cilët do të monitorojnë grupet e maturantëve.
“Në të gjithë Shqipërinë janë 144 qendra ku do të zhvillohen Provimet e Maturës, dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të monitorojë procesin me përfaqësues të deleguar, duke siguruar që çdo hap i procesit të garantojë transparencën e duhur. Do të angazhohen rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit në çdo qendër provimi nga veriu në jug. Në provimet e maturës shtetërore do të marrin pjesë rreth 28 mijë nxënës, maturantë. Do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta”, tha Manastirliu.