Shkrime
Mbaroi ‘mbretërimi’ i salduar në karrigen e kryetarit/ Ata që e rrethojnë duhet ti thonë MJAFT

Ky rezultat e ka bërë edhe më dramatike se më parë situatën brenda opozitës kryesore. Nëse Lulzim Basha e Monika Kryemadhi fitonin 63 mandate në vitin 2021, sot opozita e Berishës e Metës ka vetëm 50 të tillë. Një realitet shifrash që e ka bërë agresiv dhe mohues Sali Berishën dhe besnikët rreth tij, teksa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po vijon të certifikojë rezultatet në 12 qarqet.
Një Berishë që diku shfaqet i qetë e në humor, e diku kërcënues e sfidues, është profili i kreut të vjetër të opozitës pas 11 majit. Dikush e sheh këtë qëndrim si një teatër të momentit pas të cilit fshihet kënaqësia për mandatet e fituara. Dikush tjetër e konsideron si një qëndrim të dyzuar për shkak të vështirësisë ku ndodhet, me një situatë të dobësuar në Kuvend dhe një proces gjyqësor që po përgatitet të fillojë ndërsa statusi non grata mbetet i palëvizur. Gjithsesi është një Berishë tjetër ky nga ai që pamë gjatë fushatës që sapo u mbyll.
Edhe për shkak të udhëzimeve e strategjisë së konsulentëve amerikanë Sali Berisha u soll gjatë fushatës pa gjuhën e helmatisur që përdor rëndom sa herë që ka zgjedhje. Ai u kthye në “origjinë” sapo rezultati nisi të marrë formë, duke përdorur ndaj Ramës e të tjerëve gjuhën e zakonshme me pullë të kuqe, kërcënimet, sharjet e fyerjet më të rënda. U rikthye në Berishën që gjithmonë kemi njohur, ofensiv, arrogant dhe shpërfillës.
Kishte shumë arsye që e shtynë Doktorin të ndjekë një trajektore të qetë para zgjedhjeve. Përtej këshillave të Lacivitas e të tjerëve, ai qëndroi stoik në shpresën për të marrë një sinjal çfarëdo nga Uashingtoni. Pagoi miliona dollarë që t’i vinte një ftesë, një heqje e statusit non grata apo një mesazh nga dikush pranë Donald Trump. Premtoi gjithçka, shmangu epitetet e sharjet për Edi Ramën edhe kur ai e quante “buf” dhe “kënetë”, i futi në sirtar përkohësisht kërcënimet. Një Berishë model, në një moment shumë delikat, ku fitorja dhe disfata qëndronin ngjitur me njëra-tjetrën. Një Berishë që tejkaloi vetveten dhe duroi me gojën mbyllur e veshët hapur drejt Amerikës.
Post-12 maji, kur votat e Vorës në fillim e më pas ato të të gjithë territorit nisën t’i japin formë një humbjeje epokale, shënuan një rikthim të fortë në origjinë. U rishfaq Berisha i akuzave “fantastiko-shkencore”, i marrjes nëpër gojë të gjithkujt e gjithçkaje, i tezave më të pamendueshme të cilat si zakonisht i vijnë në vesh nga qytetari dixhital. Mbi të gjitha u rikthye mes nesh Doktori që nuk e di çfarë është dorëheqja dhe reflektimi, autokritika dhe të tërhequrit pas. Tani nuk është më politikan por misionar. Zgjidhje më praktike për të përjetësuar veten në zyrën e kryetarit nuk do ta gjente as Lacivita megjithë stafin e Trumpit, edhe sikur të mendoheshin një muaj rresht!
Berisha po përpiqet t’i japë një përmasë mistike karrierës së tij politike në kushtet e një humbjeje të thellë e të pafalshme. Po i thotë shqiptarëve se nuk është më një politikan që ecën sipas rregullave të lojës, por një misionar që i bindet vetëm Zotit. Me fjalë të tjera po i thotë atyre që e votuan dhe ne të tjerëve se pas kësaj humbjeje të rëndë që pësoi në 11 maj do të ndodhin dy gjëra: e para nuk do të dorëhiqet nga posti i kreut të PD dhe e dyta ai nuk do t’i bindet më statutit të partisë dhe logjikës që thotë se humbësi largohet, por do ta trajtojë veten si një rast krejt special, që tejkalon normat partiake dhe sfidon në heshtje lumin e thirrjeve për largim.
Me këtë qasje Berisha hedh në koshin e plehrave edhe nenin e famshëm të largimit të kryetarit të partisë pas humbjes së zgjedhjeve, të cilin dikur e quante me shpoti “neni Basha”. Nuk dihet nëse do të bjerë dakord të paktën që ta quajë këtej e tutje atë pikë të statutit “neni Berisha”!
Sjellja e Sali Berishës pas 11 majit është një kapje me thonj pas karriges, jashtë kohe, jashtë logjike dhe jashtë të gjitha rregullave e kanuneve që mbajnë në këmbë një forcë politike demokratike në një sistem demokratik standartesh. Nëse në fushatë u përmbajt njëfarësoj që të mos rrëshqiste në formatin klasik shumëvjeçar që na ka mësuar të shohim, sot nuk ka më asnjë faktor madhor që ta përmbajë të mbyllur e të ndrydhur absurdin që gjallon brenda Berishës dhe stafit të tij të ngushtë në lidhje me zgjedhjet dhe kapjen e PD.
Kush mendon sot se Berisha është një njeri i lumtur me rezultatin që arriti në 11 maj mund të jetë duke u gabuar rëndë. Shifra e 50 deputetëve arrin t’i fusë brenda thesit të gjithë besnikët që Berisha do të donte t’i kishte me vete “për ditë të keqe” pas vetes, por kjo shifër përfaqësimi është mjaft anemike për të pasur një peshë politike të dorës së parë në politikën shqiptare dhe institucionet që rrjedhin prej saj. Edi Rama ndodhet shumë pranë shifrës magjike 84 në Kuvend, e cila i siguron votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Nëse fjala vjen PS do të kishte marrë rezultatin e vitit 2021, pra 74 mandate, votat e PD do të ishin esenciale për çdo konsensus të këtij niveli. Në anën tjetër, katër deputetë të partive të reja, pa llogaritur 3 mandatet e PSD të Doshit, janë një hapësirë votash mbi të cilat Doktori nuk ka kontroll dhe influencë, çka e bën edhe më kompleks pozicionin e tij në parlament.
Me 50 deputetë në katër vitet e ardhshme ai do të ketë mjaftueshëm karburant për të thirrur nën armë mbështetësit e tij të hënave kur thirret në SPAK, por nuk do të ketë shumë peshë për të ushtruar influencën që do të donte të kishte në pallatin e politikës. Aq më pak për të ushtruar mjaftueshëm presion mbi drejtësinë në një moment shumë delikat për të e familjarët e tij. 11 maji ofroi një listë të mpakur mandatesh, prej nga rrjedh edhe pozita e vështirë e Berishës sot, kur po i kërkohet largimi edhe nga kandidatët që futi në listat e deputetëve.
Ky realitet do ta bëjë Berishën edhe më pak elastik e të hapur në kushtet e reja ku ndodhet. Ajo që vjen për PD është edhe më e keqe sesa ajo që kemi parë deri para zgjedhjeve të 11 majit. Prandaj 12 maji është momenti që dikush, dikur dhe diku brenda Partisë Demokratike të ngrihet e të flasë duke e parë në sy Berishën, për t’i thënë se po e fut partinë në një rrugë pa krye, duke mos dhënë dorëheqjen.
Pasi mori vetëm 7 bashki nga 61 të tilla në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, pasi e mpaku opozitën duke provokuar lindjen e një gjysëm dyzine partish të reja opozitare që duhej të ishin parimisht aleatet e PD, pasi mori 13 deputetë më pak se Basha në 11 maj, Sali Berisha po thotë sot se s’ka ndërmend të largohet nga kreu i PD. Mjafton vetëm post-12 maji për t’i thënë “mjaft” mbretërimit të pambaruar të Doktorit të salduar në karrigen e kryetarit!

