Bota
Mbi 1,000 të arrestuar në protestat në Bjellorusi
Mbi 1,000 protestues anti-qeveritarë u arrestuan të dielën në Bjellorusi, në fundjavën e 13-të të protestave që bëjnë thirrje për dorëheqjen e udhëheqësit Alyaksandr Lukashenka dhe zgjedhje të reja presidenciale.
Grupi i të drejtave të njeriut Vyasna tha se, në total, 1,024 vetë u arrestuan nga forcat e sigurisë, ndërsa të tjerë u rrahën brutalisht.
Shumica e arrestimeve u bënë në kryeqytetin Minsk.
Grupi Vyasna tha se disa nga të arrestuarit u liruan më vonë.
Lukashenka mban pushtetin në Bjellorusi qysh në vitin 1994.
Ai është rizgjedhur president në muajin gusht, por, sipas opozitës dhe protestuesve, zgjedhjet janë manipuluar.
Vendet perëndimore refuzojnë ta njohin Lukashenkën si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kërkojnë atij ta transferojë pushtetin në mënyrë paqësore.
Lukashenka i mohon akuzat për manipulim të votave.
Mijëra njerëz janë arrestuar qëkur autoritetet e kanë shpallur atë fitues të zgjedhjeve.
Shumica e udhëheqësve të opozitës janë arrestuar ose detyruar të largohen nga Bjellorusia.