Kosova
Mbi 34% e të rinjve në Kosovë janë të papunë
Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së re në Kosovë është e papunë. Sipas të dhënave të fundit kjo shifër ka shkuar ne 34.6 për qind. Kurse, shkalla e papunësisë te rinia e gjinisë femërore është më e lartë me 43.1 për qind krahasuar me meshkujt me 30.6 për qind.
Papunësia në Kosovë brenda tre muajve të vitit 2021 kishte shënuar rritje me 1.3 për qind dhe shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeçare.
Në tremujorin e katërt të 2021-së, fuqia joaktive ishte mjaft e lartë, me 60.8 për qind me fokus të veçantë te femrat me 77.9 për qind krahasuar me meshkujt me 43.7 për qind.
Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 48.6 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, prodhimit dhe ndërtimtarisë me 38.2 për qind.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 15.1 për qind, prodhimi me 10.4 për qind, ndërtimtaria me 9.1 për qind dhe arsimi me 8.8 për qind.
Përsa i përket të punësuarve me kontrata, del se 46.4 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punë, ndërkohë që 53.6 për qind kanë kontratë të përkohshme.