Politike
Mbi 500 mijë euro, apartament e garazh! Konfiskohen pasuritë e ish-drejtoreshës në Ministrinë e Financave

Pasuritë e ish-drejtoreshës në Ministrinë e Financave, Alda Klosi, dhe ish-bashkëshortit të saj janë konfiskuar me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, njofton SPAK, rezulton se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe nga personi i lidhur, janë pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga Alda Klosi.
Janë konfiskuar shumat monetare 368.000,00 Lekë, 15.600,00 USD dollarë amerikan, 462.950,00 Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në 10.01.2023, apartament me siperfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K. dhe garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme, pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.
Ish-funksionarja gjatë kohës kur Ministria e Financave drejtohej nga Arben Ahmetaj u gjet fajtore për mos deklarim të të ardhurave, një krim i zbuluar pas denoncimit se banesa e saj ishte vjedhur.

