Politike
Berisha: Me dheun e lopatave duan t’ju hedhin hi syve
Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij në prezantimin e kandidatit për bashkinë e Gramshit në zgjedhjet lokale të 14 majit, Hasim Çekrezi, u shpreh se kandidatët e Rilindjes nuk janë në nivelin e asnjë kandidati të Primareve.
Berisha u shpreh se iniciativa e kryeministrit Edi Rama për të mbjellë pemë në çdo bashki ku shkon për fushatë, është një tentativë për t’i hedhur hi syve qytetarëve.
“Të shtunën hapëm fushatën elektorale, por madhështia e saj ishin përvec dhjetëra mijëra qytetarëve në stadium, kandidatët tanë që të duket se e kanë të shkruar në ballë kandidatët e lirisë dhe besimit të qytetarëve.
Shkojmë në zgjedhjet vendore, kanë rëndësi të madhe për jetën e qytetarëve. ju garantoj se Hasimi do bëjë gjithçka që të përdorë me eficencë paratë tuaja dhe fondet, tu japë përgjigjen më të mirë problematikave me të cilat përballet Gramshi.
I ndjek zhvillimet në Gramsh e ndjej dhimbje të madhe sepse nga një anë këtu ndodhën ndryshime epokale, u bëtë me liqenj, u ndërtua kaskada, u nis transformimi i infrastrukturës, por cpërfitoi Gramshi nga ndërtimi i hidrocentralit, asgjë. Renta e zhduku rentën.
Një fshat që nuk ka rrugë, po të mos kishte edhe elektricitet mund ta cosh edhe 300 vite pas.
Edhe 300 vite më parë, rrugë ka pasur por ishin rrugë qerresh, sot duhet të jenë makinash. Shihni rrugët e fshatrave, janë të nivelit mesjetar, baltë e vetëm baltë.
Sa kanë asfaltuar gjatë këtyre 10 viteve?
Cfarë kanë bërë? Zero, as nuk kanë mirëmbajtur ato që janë asfaltuar më parë.
Hashimi ka kundërshtar një deputet, a e dëgjuat të flasë ndonjëherë për Gramshin në Parlament? Jo. Nuk flasin një herë për qytetarët, vetëm për kryetarin flasin dhe “sukseset e tij”.
160 lekë kilja e qepës, e pashë dje, sepse vijnë nga Kina. I shkatërroi fermerët e bujqësinë.
Ka kapur lopatën tani dhe kalojnë nga rrethi në rreth me lopatë në dorë se gjoja po mbjellin pemë. Me dheun e asaj lopate kërkon tu hedhë hi syve qytetarëve sepse nuk është i zoti të përballet me asnjë kandidat tonin në asnjë bashki”, tha ai.