Politike
Mbledhja e kryesisë/ Sula: Po e kthejnë partinë në biznes familjar
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas mbledhjes së Kryesisë së PD, në të cilën ky i fundit nuk mori pjesë.
Sula u shpreh se shkaktarët e krizës në PD nuk kanë nxjerrë mësimet por riciklohen dhe duket se duan ta shfrytëzojnë, sakrificën e demokratëve për interesa fitimprurëse personale.
Ai shkroi më tej se Basha, nuk po ndjek standartet dhe parimet e perëndimorëve, ndërsa shtoi se pasi kreu i PD, “bëri sikur dha dorëheqjen, por në hije mbajti peng zhvillimet në PD, në pikun e vapës bëri sikur u rikthye fuqishëm” e nuk u përshëndet nga partnerët perëndimorë.
Sipas tij në PD po merren hapa që e zvogëlojnë këtë forcë politike dhe e shndërrojnë në “një biznes familjar”.
Postimi i plotë:
Parti politike apo biznes familjar?
📍Të dashur dhe të nderuar qytetarë dhe ju demokratë të angazhuar, po bëhen afro dy vite që Partia Demokratike është në situatën e saj më të vështirë. Është e përçarë që në kokë e deri në strukturat më të thjeshta. Arsyet tashmë i dimë.
🔴6 marsi i vitit 2022 dhe 14 maj i këtij viti e tregoi me fakte dhe numra se Partia Demokratike nuk mund të kthehet në një forcë alternativë qeverisëse duke luftuar për një llokmë brenda saj. Edhe duke bashkuar votat e ndara mes vetes, opozita sërish nuk bën më shumë vota sesa partia në pushtet. Kjo situatë lips një opozitë më të fortë që të thithë edhe shtresën gri edhe të pakënaqurit.
-Me gjithë këto fakte e prova tronditëse duket se ata që janë shkaktarët e kësaj krize, nuk kanë nxjerrë mësimet por riciklohen dhe duket se duan ta shfrytëzojnë, sakrificën e demokratëve për interesa fitimprurëse personale.
-Ne, grupi i deputetëve të Partisë Demokratike që në vendimet e para që kemi marrë jemi mbështetur te partnerët tanë, ndërkombëtarët, parimet e tyre. Këto parime na udhëheqin.
– Të njëjtat standarte duket se nuk po ndiqen nga ai që më 9 shtator të 2021 inicioi përçarjen e më pas nuk i doli për zot vendimit që mori.
– Pasi bëri sikur dha dorëheqjen por në hije mbajti peng zhvillimet në PD, në pikun e vapës bëri sikur u rikthye fuqishëm. Por ndryshe nga sa iu kishte fryrë ata që I mban afër, nuk mori asnjë urim nga miqtë ndërkombëtarë. Mori urime dhe vlerësime kur dha dorëheqjen por jo kur u ‘kthye’.
– Nëse duhet të ndjekim të njëjtat standarte, këtë detaj do duhet ta vlerësojmë maksimalisht. (nuk ka ndodhur deri më tani)
– Përkundër interesave të demokratëve dhe shumicës së qytetarëve të cilët duan një opozitë alternativë më të mirë qeverisëse sesa kjo që është aktualisht po merren hapa që e zvogelojne Partine Demokratike ne nje biznes familjarë.
– Çdo mbledhje ne kundershtim me ‘kushtetuten’ tone partiake, statutin e PD nuk e forcon opozitën por zvogëlon atë. Kushdo që ka të parën interesin e qytetarëve synon ta rrisë PD, kushdo që do ta trajtojë atë për interesa okulte financiare nuk I intereson se sa zvogëlohet partia por do ta përdorë atë si një instrument për të bërë edhe më shumë para pa firmosur as edhe një ditë në qeveri.