Kosova
Mbrojtja e Kosovës nga Tirana/ Luftë për pikë politike
Në harkun kohor të pak ditëve, kryeministri Edi Rama u shpreh fillimisht se “Shqipëria do të qëndrojë në krah të Kosovës edhe nëse gjërat vijnë në atë pikë ku nuk flitet më në dialog, por përdoren armë dhe se çdo sulm ndaj Kosovës është sulm edhe ndaj Shqipërisë”, kurse presidenti Bajram Begaj, në mesazhin e urimit drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosi Osmani, deklaroi se Shqipëria do të jetë gjithmonë me Kosovën “edhe përballë çdo kërcënimi”.
Duke analizuar nese pas fjalëve të kryeministrit shqiptar, fshihet qellimi per grumbullimin e pikëve politike në Shqiperi dhe rajon, analisti Ben Andoni tha se ka një memorandum mes Shqipërisë dhe Kosovës në të cilin ka klauzola që e bëjnë të ligjshme ndihmën e Shqipërisë për Kosovën, por edhe ndihmën e Kosovës për Shqipërinë. Ai gjithashtu theksoi se anëtarët e tjerë të NATO-s, si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, gjithashtu kanë memorandume me Kosovën dhe mund te dërgojnë atje armë.
“Shqipëria në raste ekstreme mund të ndryshojë legjislacionin dhe të dërgojë njerëz në Kosovë”. Besoj se në këtë rast do të ishte një detyrim zyrtar i Shqipërisë dhe se nuk do të kishte të bënte vetëm me vullnetarë. Diçka duhet marrë parasysh. Bazuar në nenin 5 të protokollit, NATO ndërhyn vetëm nëse Serbia sulmon drejtpërdrejt Shqipërinë, ndërsa në këtë rast gjithçka ka të bëjë me memorandumin që Shqipëria ka me Kosovën. Vetëkuptohet që gjithçka justifikohet me faktin se jemi dy shtete por nje komb. Jemi dy shtete por një popull” – tha analisti i njohur
Sipas mendimit të tij, ka shqetësim të madh, sidomos pas disa deklaratave të fundit nga Serbia, dhe si shembull ai përmendi deklaratat e Aleksandër Vulin.
“Mendoj se Rama i tha fjalët për Kosovën në emër të SHBA-ve, por u kuptua që tashmë ka një angazhim edhe nga Tirana për atë që e pret Kosovën në të ardhmen. Për mendimin tim mbi Kosovë po mblidhen re të zeza. Kjo shihet në shpenzimet e armëve si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës, por sidomos në faktin se, sipas informacioneve që kam, dy të tretat e ushtrisë serbe janë afër kufirit me Kosovën. Me sa duket Rama e ka marrë informacionin nga NATO, anëtare e së cilës eshte Shqiperia”, beson Andoni.
Presidenti serb Aleksandar Vuçic, siç shtoi ai, kohëve të fundit ka folur për persekutimin e serbëve në veri të Kosovës nga qeveria e Albin Kurtit dhe vë në dukje pengimin e formimit të Unionit të Komunave me shumicë serbe.
“Sipas kësaj doktrine, Rusia ndërhyri në Ukrainë. Gjithashtu, Azerbajxhani u fut në konflikt me Armeninë. Kjo arriti kulmin me kërkesën e Serbisë, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, që Kosova të jetë përgjegjëse per situaten e tensionuar, para Këshillit të Sigurimit” – potencoi analisti Ben Andoni