Politike
Mbyllen aplikimet! Njëri prej 4 kandidatëve do të ulet në ‘karrigen’ e Dumanit, mes tyre një grua
Sot ka përfunduar afatit zyrtar i dorëzimit të dosjeve të kandidatëve për kreun e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Janë zyrtarizuar katër emrat, të cilët do të garojnë për të zënë vendin e Altin Dumanit.
Njoftimi i KLP
Në vijim të procedurës për përzgjedhjen e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), njoftojmë se, në përfundim të afatit zyrtar dhe kohës së pritjes për depozitimin e dokumentave nëpërmjet shërbimit postar, pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë depozituar shprehjen e interesit për këtë pozicion prokurorët si më poshtë vijon:
* Klodian Braho, prokuror dhe njëherësh shefi i seksionit kundër korrupsionit dhe “Shpërdorimit të detyrës” në SPAK
* Elvin Gokaj, prokuror pranë seksionit kundër korrupsionit
* Doloreza Musabelliu, pjesë e seksionit kundër krimit të organizuar në SPAK.
* Adnan Xholi, aktualisht mban postin e zv/drejtuesit të prokurorisë.
Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 18 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Caktimi i kreut të ri të SPAK, ka vënë në lëvizje dy nga ambasadat kryesore në vend: SHBA dhe BE.
Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.