Bota
Mbyllet një kapitull historie/ ‘Zoti e ruajtë Mbretin’
Mbyllet një kapitull historie, Lamtumirë Mbretëresha Elizabeth
Mbretëria e Bashkuar, vendet e ish-Perandorisë Britanike dhe bota po i thonë lamtumirë, në një klimë emocionesh të thella, mbretëreshës së rekordeve, Elisabeth, e cila vdiq në moshën 96-vjeçare në rezidencën e dashur skoceze të Balmoral, teksa pranë i ndodheshin familjarët e afërt, mes të cilëve trashëgimtari i fronit Charles, i cili në moshën 73-vjeçare më në fund bëhet mbret.
Shenjën e përkeqësimit të situatës shëndetësore e dha një njoftim me të cilin Buckingham Palace bëri publike “shqetësimin e mjekëve” dhe vendimin e tyre për ta vendosur atë “nën mbikëqyrjen”. Fjalë që me sa duket përgatitën opinionin për të pariparueshmen, për momentin fatal – Mbretëresha vdiq! Ishulli heshti, turmat filluan të mblidhen jashtë Pallatit Buckingham dhe flamujt u ulën në gjysmë shtize. Në ekranet gjigand të rrugëve u shfaq një portret i Elizabeth nën tingujt e himnit ‘God Save the Queen’. Pastaj nuk vonoi të derdhej lumi I mesazheve. Në një mënyrë apo tjetër, aleatë dhe kundërshtarë i bën homazhe Mbretëreshës
Flamujt në gjysmështizë u ulën edhe në Bruksel, kurse presidenti gjerman e quajti sovranen “një grua që formësoi një shekull në MB dhe më gjerë në mbarë botën”. Edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u mbajt një minutë heshtje. Të gjithë ju drejtuan kujtimit të një mbretëreshe të dashur nga shumë njerëz dhe që ishte e respektuar pothuajse nga të gjithë në të pesë kontinentet.
Vetëm pak ditë më parë ishte ajo, Liz Truss, e cila mori stafetën nga duart e Mbretëreshës Elizabeth II. Prandaj i takonte kryeministres së re britanike të bënte të njëjtën gjë pas vdekjes së Elisabeth.
“Sot kurora i kalon, siç ndodhi për më shumë se 1000 vjet më parë, monarkut tonë të ri, kreut tonë të ri të shtetit, Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III – tha Truss në Downing Street teksa e mbylli fjalën e saj me
“Zoti e ruajtë Mbretin”.