Politike
Mbyllja e listave/ Shpërthen Basha: Atentat ndaj demokracisë
Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë zhvilluan sot një tryezë me partitë politike dhe këshilltarëve bashkiakë të forcave të Harkut Opozitar Euroatlantikë. Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në fjalën e tij tha se marrëveshja Rama-Berisha për mbylljen e listave është një atentat ndaj demokracisë shqiptare.
Basha tha se ata që na kanë akuzuar se pa reshtur si bashkëpunëtorë të qeverisjes më të korruptuar të këtyre 34 viteve, janë jo vetëm ortakët e tyre në kulla ndërtimi, jo vetëm ortakët e tyre në oligarkë të përbashkët, por tashmë dhe ortak të përbashkët për të shkrirë praktikisht në një Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Rithemelimin, pra për t’i rikthyer në pikën fillestare para bing bengut të Katovicës.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Deri në këtë moment që flasim, falë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët në Parlamentin e Shqipërisë nuk i zgjedhin kryetarët e partive, por i zgjedhin qytetarët me parimin kush merr më shumë vota, përfaqëson qytetarët në Parlament si deputetë apo si deputete, sigurisht duke ruajtur kuotat gjinore dhe përfaqësimin e 1/3 nga zonjat dhe zonjushat, nga gratë dhe vajzat shqiptare.
Atemntati ndaj demokracisë shqiptare, i cili është konkluduar ditën e djeshme, do të bëjë pikërisht këtë, të rimbyll listat e hapura me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë tashmë prej 24 orësh e ka marrë vesh i madh e i vogël. Dhe më vjen mirë që edhe disa që akoma nuk u ka dalë narkoza e mashtrimeve dhe gënjeshtrave që kanë hedhur me shumicë dhe me skarcitet në dy vitet e fundit, tashmë po ndërgjegjësohen se ata që thërrisnin më shumë “kapeni hajdutin”, janë hajdutët e vërtetë të demokracisë shqiptare.
Ata që na kanë akuzuar se pa reshtur si bashkëpunëtorë të qeverisjes më të korruptuar të këtyre 34 viteve, janë jo vetëm ortakët e tyre në kulla ndërtimi, jo vetëm ortakët e tyre në oligarkë të përbashkët, jo vetëm ortakët e tyre në media, jo vetëm ortakët e tyre në korrupsion dhe lirimin e të korruptuarve, por tashmë dhe ortak të përbashkët për të shkrirë praktikisht në një Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Rithemelimin, pra për t’i rikthyer në pikën fillestare para bing bengut të Katovicës, para se Ramiz Alia t’i ndante këtej oficerët e sigurimit dhe këtej spiunët e sigurimit.