Bashkimi Evropian ka dënuar mbylljen e zyrave në Mitrovicë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
“Kjo përbën edhe një veprim tjetër të pakoordinuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës kundër strukturave të tilla dhe është në kundërshtim me obligimet dhe zotimet e Kosovës karshi BE-së. BE-ja vazhdimisht ka deklaruar se statusi i tyre duhet të zgjidhet në linjë me dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, u tha në një deklaratë të BE-së.
BE-ja i bëri thirrje Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës që “të përmbahen nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.
Sipas bllokut evropian, këto veprime kanë ndikim negativisht te qytetarët e zakonshëm, kryesisht nga komuniteti serb në Kosovë, por edhe te komunitetet e tjera.
Një ditë më parë, nga Komuna e Mitrovicës së Veriut konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se me asistencën e Policisë së Kosovës, Inspektorati i kësaj komune kreu kontrolle në hapësirat ku vepronin këto institucione të Serbisë.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se personat e hasur në objekt nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur. Për këtë arsye, puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedura e mëtejshme do të zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjet dhe kompetencat në fuqi”, thanë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.
Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore të Serbisë dhe ofron shërbime në fushën e kujdesit shëndetësor – si vërtetimin e libreza shëndetësore, punët që lidhen me komisionet mjekësore, bën llogaritjen, kontrollin dhe pagesën e kompensimeve financiare, si dhe vërtetimin e kërkesave për ndihma mjekësore-teknike dhe të ngjashme.
Në mjediset serbe në Kosovë, të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në shtator të vitit 2024, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se funksionimi i shëndetësisë dhe arsimit në mjediset me shumicë serbe është specifik dhe se këto institucione do të trajtohen në mënyrë specifike – ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera serbe.
Në vitin 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e disa institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë: Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare, organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale e të tjera.
Ndërkaq, ditë më parë janë marrë nën kontroll nga autoritetet e Kosovës edhe objekte në Graçanicë dhe Shtërpcë që përdoreshin nga Posta e Serbisë.
Mbyllja e institucioneve serbe, që Kosova i konsideron ilegale dhe paralele, është përballur me kritika nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara që kanë thënë se Qeveria e Kosovës po ndërmerr veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.
E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i tha një grupi mediash në gjuhën serbe më 4 shtator se të gjitha institucionet paralele serbe, përfshirë arsimin dhe kujdesin shëndetësor, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.
Megjithatë, ajo ka theksuar se mënyra se si do të bëhet ky integrim është thelbësore dhe, sipas saj, duhet të zhvillohet vetëm përmes konsultimeve me komunitetin serb.