Shkrime
McGonigali i Shqipërisë mban pseudonimin Lulzim Basha
Nga Denis Dyrnjaja
Kryetari i dorëhequr mesa duket vetëm verbalisht i PD-së Lulzim Basha, ka filluar të rishfaqet në politikë, pas një “gjumi’ të gjatë letargjik. Disa takime me struktura apo pjesë të forumeve të fraksionuara në radhët e demokratëve, kanë risjellë në vëmendje njeriun që drejtoi PD për 9 vite me radhë, duke dështuar “thellësisht suksesshëm”, në çdo aspekt. Me besim e plotë dhe mbrojtjen pa limit që i dha Sali Berisha që nga viti 2013, kur ai vetë dha dorëheqjen pas humbjes dërmuese në zgjedhje, Lulzim Basha u katapultua të ulej në kolltukun despotik të kryetarit të PD-së, si ylli i ri politik që do të shkëlqente në krye të opozitës shqiptare. Ai u pa si alternativa që do të rrëzonte Edi Ramën nga pushteti, por ndërkohë rezultoi se ishte një dështim total në të gjithë kohën e lidershipit të tij. Humbi çdo proces zgjedhor dhe tjetërsoi të gjithë strukturën e PD, duke larguar çdo zë ndryshe përmes manipulimesh, intrigash e skemash, që herë i bekonte e herë bënte sikur si kuptonte edhe vetë Berisha. Por nga ana tjetër këtë besim të inflacionuar të doktorit, Basha e përdori për të krijuar enturazhin e tij politik dhe struktura, duke deformuar pa kthim PD-në e traumatizuar dhe konsumuar shumë nga imazhi, por edhe nga përbërja që pasoi rënia e saj nga pushteti.
PD hyri në kursin e gabuar dhe aty u krijua një ambient ku se kush nisi të bëjë llogaritë për ekzistencën e tij politike. Disheza kishte nisur. Një pjesë e tyre e kuptonin se kjo nuk ishte as mënyra e duhur për të forcuar partinë dhe as mënyra e duhur për të rrëzuar qeverinë, por nën “proletarizmin idhullues”, ndaj Berishës, vijonin të mbështesnin Bashën edhe pse dukshëm kishte treguar e provuar se ishte një “skuth poktik” dhe dështak serial. Humbjet i shpallte si fitore dhe dështimet si sukses, demokratët idhëtarë të Berishës e mbronin dhe e rimandatonin si kryetar. Kritikët anatemoheshin si mercenarë, paterica e shërbëtorë të Ramës. Berisha vijonte të mbronte beniaminin e tij që tashmë ishte mësuar me humbjen që i sillte fitime pasurore nga statusi që kishte si kryeopozitar. Denoncime të forta bëheshin sa në konferenca shtypi e në Parlament dhe “shkriheshin” rrugës, pasi vilej gjoba respektive. Tani edhe një parti politike mund të vinte e vilte gjoba. Në pikë arriti PD me paskruoujt e saj. Nga ana tjetër me një sistem zgjedhor ku listat e kandidatëve i bënin kryetarët e partive, Basha kishte mundësinë e artë të krijonte më shumë autoritet brenda partisë, por edhe përfitime të mëdha (zëra nga brenda PD kanë pohuar se shumë mandate deputetësh janë blerë me para cash) nga individë pa asnjë kontribut dhe për më tepër me nivel mediokër politik, duke e ulur shumë nivelin përfaqësues të opozitës. Ndërsa ky degradim ndodhte dhe Rama forconte pushtetin e tij e tallej me opozitën dhe përfaqësuesit e saj masivisht e publikisht, Berisha vijonte të heshte për sjelljet e vendimet e Bashës, sikur nuk dinte gjë, edhe pse gjithçka dinte, por nuk bënte zë derisa kupa u mbush e “fshesa e spastrimit” mbërriti edhe tek ai.
Sigurisht pasi kishte tjetërsuar, për të mos thënë përçudnuar totalisht PD me njerëz interesazhinj, servilë, dhe me një axhendë krejtësisht personale në favor të shpurës së tij, Basha i dha duart edhe Sali Berishës duke e përjashtuar nga Grupi Parlamentar, me pretekstin se këtë ia kishin kërkuar amerikanët, për shkak të statusit non grata që i kishin adresuar doktorit. Në fakt kjo kërkesë e amerikanëve ishte një alibi e mirë që Bashës i erdhi për shtat dhe në momentin e duhur, për të hequr qafe një herë e përgjithmonë Berishën nga prezenca e tij si tutor politik, prezencë e cila e mbante gjithnjë të kufizuar autoritetin e kryetarit sarhosh. Sakaq Berisha kishte kapërdirë lloj lloj vendimesh të Bashës, duke pranuar edhe spastrimin e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në parti. Por kur kokëprerja politike arriti te vete ai, vendosi të reagojë. Ishte shumë vonë në fakt. Dëmi ishte bërë e zhgënjimi ishte shumë i madh, pasi doktori e dinte çfarë bastardi poktik ishte Basha, por se kishte besuar se do t’i vinte radha dhe vetë atij të eliminohej pikërisht sikurse kishte eliminuar Berisha shumëkënd në të shkuarën. Ky moment shënoi edhe ndarjen e atit me të birin poktik dhe rikthimin e Berishës në aksionin politik, këtë herë për të larguar Bashën e marrë kontrollin e PD. Beteja ishte e vështirë pasi e tërë struktura e partisë ishte transformuar sipas interesave të Bashës tanimë, por Berisha kishte një “gur të fortë” loje, bazën e militantëve. Basha ishte koshient, që në parti kishte marrë fuqinë e drejtimit të forumeve, por jo kontrollin e bazës.