Politike
Më 25 shkurt afati i fundit! Cilat janë partitë e para që dorëzuan kërkesën në KQZ për zgjedhjet 2025

Teksa kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dhënë afatet për regjistrimin e partive, koalicioneve dhe listave shumëemërore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, partitë kanë filluar të dorëzojnë kërkesat. Regjistrimi i partive garuese në zgjedhje duhet kryer brenda një jave.
“Shqipëria bëhet” me në krye Adriatik Lapajt dhe “Lëvizja Bashkë” me drejtues Arlind Qorit, janë dy partitë e para që kërkuan në KQZ të regjistrohen për 11 Majin.
Pas tyre kërkesën e ka depozituar edhe Partia Demokratike. Demokratët do të hyjnë në zgjedhjet e 11-majit me simbolet dhe emrin e kryetarit të tyre. Gjithashtu Berisha ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve edhe 3 dokumente tjera. Një vërtetim që partia është e regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, deklaratën e angazhimit solemn të kryetarit të partisë politike Model KQZ-04-02 dhe deklaratë për hapje llogarie të posaçme bankare të partisë politike Model KQZ-04-03.

Në një konferencë për mediat një ditë më parë (18 shkurt), Celibashi tha se deri më 25 shkurt është data kur përfundon afati për depozitimin kërkesave të partive për tu regjistruar si subjekt zgjedhor dhe i komiteteve nismëtare. Ndër të tjera ai njoftoi se më 7 mars, përfundon kërkesa e depozitimit për regjistrimin e koalicioneve. Më 12 mars, përfundon afati për depozitimin e listave shumë emërorë të kandidatëve. Më 17 mars përfundon afati për verifikimin e dokumenteve të kandidatëve. Më 25 mars përfundon afati i miratimit të listave shumëemërore.

