Kronike
“Më bullizonte”/ Arrestohet babai që vrau të birin me thikë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 74-vjeçarin Hekuran Gjoni pasi pasditen e djeshme, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me thikë djalin e tij Asim Gjoni, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
Ai akuzohet për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Hekuran Gjoni ka dhënë një dëshmi të shkurtër për grupin hetimor, pasi vrau me thikë djalin e tij 37-vjeçar. Ai ka theksuar se me të birin kishte shpesh konflikte për shkak se sipas tij, e shante dhe e bullizonte. I moshuari ka treguar më tej se nuk donte që ta vriste djalin, por situata i kishte dalë jashtë kontrollit.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe thikën e krimit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. Gj., 74 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi mbasditen e djeshme, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës djalin e tij shtetasin A. Gj., i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.”- njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale të ‘Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare’, në ngarkim të shtetasit H. Gj.

