Kosova
‘Me izolimin e plotë dhe kërcënimet në rritje, Kosovës i duhet një qeveri pa Kurtin’
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se mënyra se si shtetet në OKB kanë votuar për të mbështetur dhe kundërshtuar Rezolutën kundër gjenocidit në Srebrenicë, është “këmbanë alarmi edhe për Kosovën”.
“Kjo tregon se ne jetojmë në një botë të zvogëluar, ku historia po rishkruhet dhe ku kohës dhe hapësirës po u ndryshon kuptimi. Një botë e përcaktuar vetëm nga interesat, pa asnjë parim dhe vlerë. Me izolimin e plotë dhe me kërcënimet në rritje ndaj Kosovës, vendit i duhet një qeveri pa Albin Kurtin, me një plan të qartë dhe një veprim të guximshëm” ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme ka theksuar se vetëm një qeveri properëndimore e ri-pozicionon shtetin si në raporte me aleatët strategjikë, si përballë armiqve të saj, Serbise, Rusise e shumë të tjerë në botë.
Tri ditë më parë, lideri i partisë që i takon Hoxhaj, Memli Krasniqi u ka dërguar letër kryeministrit, njëherit kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku e ka theksuar nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Propozimi i PDK-së, siç ka treguar Krasniqi, që zgjedhjet e reja të mbahen më 30 qershor ose më 7 korrik është për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, “për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj”.