Kronike
‘Më ka borxh 5 mln lekë’/ Plagosi me thikë ish-të dashurën, detajet
Gjykata e Korçës ka lënë në burg Ilir Çamin që plagosi me thikë ish-partneren e tij. Sipas avokatëve të tij mbrojtës, ai është penduar për ngjarjen e ndodhur. Por Çami ka thënë para gjykatës se 46-vjeçarja Manderina Çela ka përfituar prej tij shuma monetare që arrinin deri në 5 milionë lekë të vjetra. Ai tha para trupës gjykuese se pikërisht këto para kanë qenë arsyeja e konfliktit sepse ajo nuk i ka kthyer më. Më tej Çami u shpreh se pavarësisht ngjarjes së ndodhur, ai ende ka ndjenja për 46-vjeçaren.
Ngjarja ndodhi më 6 nëntor, ku Ilir Çami plagosi me thikë Manderina Çela në lagjen nr. 4 në Korçë. E reja u dërgua menjëherë në spital, ndërsa autori u arrestua nga Policia.
Por, gjatë dëshmisë së saj e reja tha se ajo nuk ka asnjë lidhje me 41-vjeçarin dhe se është e martuar. Çela tha se Çami është paguar nga dikush tjetër që ta ndjekë atë, ajo mohoi pretendimet e Çamit se ata kanë një lidhje së bashku.