Kronike
Me kallashnikov me vete, kokainë dhe kallëp eksplozivi, arrestohet 18-vjeçari nga Lazarati

Një 18-vjeçar nga fshati Lazarat ka rënë në prangat e policisë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e Emanuel Memushit blutë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 14 kapsolla detonatore elektrike, kallëp eksplozivi dhe sasi kokaine.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin Operacional, të DVP Gjirokastër, dhe me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas posedonte lëndë narkotike dhe sende të kundërligjshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Owner”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 18 vjeç, banues në fshatin Lazarat.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 18-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën: 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër për të, një sasi municioni luftarak, 14 kapsolla detonatore elektrike, 1 kallëp eksplozivi dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

