Sport
‘Më kanë kërkuar Shqipëria dhe Kosova’, shqiptari i Ajaksit: Jam duke pritur Gjermaninë
Portieri i Ajax në Holandë, Diant Ramaj është në mëdyshje se cilën skuadër do zgjedhë për të ardhmen. Në një bisedë për mediet në Holandë, 22-vjeçari ka thënë se Kosova dhe Shqipëria i janë ofruar, ndërsa ai po pret Gjermaninë.
“Më duhet të bëj një zgjedhje, por nuk dua ta bëj shumë shpejt. Kosova dhe Shqipëria tashmë më janë afruar. Unë thashë se më duhet kohë, edhe sepse shpresoj dhe pres Gjermaninë”, tha Ramaj.
Ramaj e di se Gjermania ka portierë të mirë dhe me përvojë si Manuel Neuer, Marc-Andre ter Stegen dhe Kevin Trapp. Megjithatë, ai thotë se duhet të ftohet nga Gjermania për shkak të moshës së re që ka.
“Portierët e Gjermanisë janë mbi 30 vjeç. Kur shikoj vendet e tjera, ka një portier të ri kudo. Shikoni Bart Verbruggen në Holandë. Nuk po them se duhet të jem portier i parë apo të luaj atje, por është mirë nëse edhe Gjermania thërret një të ri dhe i tregon botës se një brez i ri po vjen”, thotë Ramaj që duket larg kuqezinjve apo dardanëve.
I dalë nga moshat e Stuttgart, Ramaj bëri mirë me Heidenheim dhe më pas me Eintracht Frankfurt, para se në verën e 2023 të linte gjermanët dhe për 5 milionë euro të bashkohej me Ajax në Holandë. Në Eredivisie ai ka luajtur 10 ndeshje, teksa me Ajax në të gjitha kompeticionet 17 duele këtë sezon.