Aktualitet
‘Më kanë ndjekur fëmijën në shkollë’/ Dosja e Suel Çelës, flet avokati Llangozi që kërcënohej
Avokati Arben Llangozi ka folur për përgjimet e dala nga aksioni i fundit i SPAK në Elbasan. Sipas detajeve që janë mësuar nga dosja e SPAk për Suel Çelën, ish-gjyqtarja Pajtime Fetau ka kërkuar nga anëtarë të grupit kriminal që të “zhduknin” avokatin. Sot në një intervistë të dhënë për “Shqipëria live”, avokati Llangozi tha se është njohur nga vetë kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani lidhur me përgjimet. Vetë tha se nuk ka pasur kërcënime direkt, por pak javë më parë ka pasur dyshimet se një person i ka ndjekur djalin në shkollë.
“Unë rashë në dijeni të këtij fakti përmes vendimit që ishte marrë për gazetarin dhe aty pashë dhe përgjimet që kishin të bënin me mua. Gjyqtarja kishte komunikuar me personazhe të ndryshme të botës së krimit ku kërkonte të hakmerrej sepse sipas saj unë kisha dhënë informacion një emisioni për t’i sjellë probleme saj, dhe pezullimi i saj nga detyra kishte ardhur prej tyre. Në atë kohë nuk është se kam pasur problematika, por pak kohë më parë kam pasur disa dyshime që kanë të bëjnë me fëmijën tim që sipas personit që e shoqëron në shkollë, një person e ndiqte, e kam denoncuar dhe jemi në kuadër verifikimesh. Jam njoftuar nga zoti Dumani dhe jam vënë në dijeni të këtij fakti për përgjime në fjalë. Na kanë thënë që mund të publikohen këto përgjime, por nuk duhet të shqetësoheni se drejtësia ka bërë tashmë punën e saj,”- u shpreh ai.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi dje një operacion në Elbasan, ku lëshoi 21 masa sigurie, 18 prej tyre arrest me burg. Gjatë operacionit u arrestua një ish-gjyqtare Pajtime Fetahu, një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, Dedan Gjoni dhe avokatja e grupit të Suel Çelës, Blerina Beqiri. Kjo e fundit është lënë në “arrest shtëpie”. Ndërsa dy gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha, SPAK ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ndërsa urdhër arresti u lëshua edhe ndaj Marsel Çelës, i cili u arrestua sot në Belgjikë.