Kosova
Me këmbë në tokë/ Për BE-në, nuk ka njohje de facto nga Serbia
Bashkimi Evropian ka deklaruar se pajtimi i Kosovës dhe Serbisë për planin evropian, nuk nënkupton njohje de facto mes dy vendeve.
Zëdhënësi i Unionit, Peter Stano i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media. Kur u pyet se a u pajtuan palët për njohje de facto, ai u përgjigj shkurt: “Jo”.
“Qëllimi i dialogut s’është njohja. Është normalizimi i raporteve. BE-ja është lehtësuese. Ne nuk diktojmë. Ne ndihmojmë” – citohet të ketë thënë Stano
Në lidhje me njohjen reciproke mes dy vendeve, pasditen e së martës ka folur edhe emisari Gabriel Escobar, i cili sqaroi pse SHBA tani po përmend “njohje eventuale reciproke”.
“Ne deshëm të sigurohemi që nuk ka konfuzione për pozicionin tonë. Plani evropian nuk është për njohje reciproke, është për normalizim. Ne e kemi përdorur fjalën “eventualisht”, që njerëzit ta kuptojnë se nuk duam ta ndryshojmë propozimin evropian, por do të donim që kjo të ndodhte në të ardhmen në Ballkan”. – tha ai në një komunikim me gazetarët.