Connect with us

Kosova

Me lupë mes rreshtave të Macron/ Javët e ardhshme vendimtare për Kosovën

Themelimi i Asociacionit mbetet një nga çështjet më delikate për Kosovën, teksa po shtohet presioni nga ndërkombëtarët për këtë çështje. Së fundmi, ishte Presidenti i Francës, Emanuel Macron, që në një letër drejtuar presidentes Vjosa Osmani me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë, ka thënë se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Macron ka thënë se shpreson që Kosova do të marrë vendime të guximshme dhe të nevojshme. Duke vlerësuar se sfidat në 2024 janë të shumta për shkak të luftës në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, Macroni ka deklaruar se “në këtë kontekst për shumë ndërkombëtarë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përbën një sfidë parësore”. Bazuar në deklaratat e Macron, pritet të ketë zhvillime të “nxehta” javëve në vazhdim.

E për këtë çështje, folën disa analistë. Muhamet Kelmendi, së pari, potencoi se duke marrë parasysh situatën në Evropë, është e kuptueshme insistimi në zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi. Ai theksoi se presioni nga ndërkombëtarët është i njëanshëm, ku vetëm Kosovës po i kërkohet themelimi i Asociacionit, ndërsa për shtetin serb nuk ka asnjë kërkesë apo presion. Krahas kësaj, përmendi edhe presionin nga ndërkombëtarët dhe ‘kërcënimet’ nga Amerika për themelimin e Asociacionit. Kelmendi, kërkoi nga Kosova që të ketë kujdes me vendimet dhe hapat që merr. Ndërkaq, publicisti Skënder Zogaj tha se nuk ka “shpëtim” nga Asociacioni, teksa shtoi se është vetëm humbje kohe tentativa për ta shtyrë themelimin e tij. Ndër të tjera, ai tha se të gjitha partitë politike i kanë kontribuar ngecjeve që ka përjetuar Kosova.

“Asociacioni duhet të vetëdijësoj klasën politike të Kosovës që ta kuptojë se për formimin e asociacionit, asnjë parti politike nuk mund të shfajësohet, sepse kanë kontribuar në ngecjet që ka përjetuar liria dhe pavarësia e Kosovës!” – deklaroi Skënder Zogaj.

 

Advertisement