Aktualitet
Me not nga Italia në Shqipëri/ Kapiteni tregon “luftën’ e Eva Buzos në det të hapur: Ajo është ‘një përbindësh’
Luftoi, nuk u dorëzua dhe në fund ia doli. Ky është epilogu i sportistes luftarake, Eva Buzo, e cila arriti të përshkonte me not distancën nga brigjet e San Focca në Itali deri në Gadishullin e Karaburunit.
Ajo ka prekur tokën shqiptare në një nga gjiret e Karaburunit, në afërsi të Kepit të Gjuzës.
Ekipi që shoqëroi avokaten me orgjinë shqiptare ka treguar detaje nga rrugëtimi i saj, i cili përkundër lodhjeve dhe sfidave në det të hapur, në fund u hipotekua me sukses të plotë.
Njëri prej pjesëtarëve të ekipit shoqërues theksoi se Eva ka hyrë në historinë e detit në mënyrën më fisnike pasi ndërmori një aventurë, duke sakrifikuar veten e saj.
Madje, ai propozoi që toka shqiptare ku preku Eva të quhet “Shkëmbi i Evës”, si shenjë mirënjohjeje për guximin dhe egon e madhe të kësaj sportisteje.
“Jam pa fjalë. Eva hyri në historinë e detit në mënyrën me fisnike duke sakrifikuar veten e saj. Kalimi i kanalit të Otrantos, pas dështimit të një viti më parë, do të themi se e betonizoi emrin e Evës në një nga shkëmbinjtë e Karaburunit. Unë do të thoja, me gjithë kënaqësinë time, që ta quajmë shkëmbi i Evës, atë shkëmb që Eva për herë të parë kapi tokën shqiptare. Duhet të ketë bërë mbi 50 e ca milje. Bravo Eva!”, tha ai.
Kapiteni i mjetit që shoqëroi sportisten tha se aventura shkoi shumë mirë, ndërsa Evën e cilësoi si një “përbindësh të vërtetë”.
“Unë jam kapiteni, që shoqërova nga këtu në Leçe dhe nga Leçe përsëri u kthyem afër Gjirit të Dafinës nga mbrapa. Atje është nisur në 18:30 të darkës parmbrëmë dhe ka arritur sot në mëngjes rreth orës 05:00. U nisëm nga San Focca dhe mbërritëm diku midis Gjirit të Gramës dhe Gjirit të Varkave, që i themi ne. Ajo nuk ka shfaqur asnjë lloj problemi. Kaptohet, lodhja fizike të saj ishin vetëm në momentet e rrymave, ato bënin ndonjë spostim, por ajo është një përbindësh. Unë e ndoqa në çdo minutë të saj. Kishte probleme në disa momente, nuk mund të fliste, gjithçka e bënim përmes një tabele me shkrim”, tha ai.
Sakaq, Eva Buzo ka ndaluar shumë pak duke pirë ujë dhe udhëtimi, i cili ka zgjatur diku më shumë se 34 orë, ka qenë konstant. Në fund Eva mori duartrokitjet dhe përgëzimet e ekipit, që e shoqëroi në det