Connect with us

Aktualitet

Me pranga në duar dhe kokën ulur, momenti kur Florenc Çapja mbërrin në Rinas

Publikohen pamjet nga momenti i mbërritjes së Florenc Çapjas në aeroportin e Rinasit i cili sot u ekstradua nga Dubai, pas finalizimit të marrëveshjes me Policinë e Shtetit. I shumëkërkuari ka mbërritur në tokën shqiptare rreth orës 17.00, nën masa të rrepta sigurie.

Këto janë pamjet e para të të dënuarit me burg përjetë nga GJKKO për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentjan Beqiri në Elbasan. Ai është ekstraduar dhe është shoqëruar nga forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat kanë marrë në dorëzim Çapjan.

 

Gjykata e Posaçme ka dhënë gjithashtu burgim të përjetshëm edhe për xhaxhanë e tij, Ardian Çapja. 44-vjeçari Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjas, i cili është kreu i një grupi të njohur kriminal në qytetin e Elbasanit, i cili ka pasur përplasje me grupin e një tjetër personazhi të njohur të botës së krimit, Suel Çela.

8 vite në arrati, fshihej në Dubai
Florenc Çapja ndodhej në Dubai prej rreth 8 vitesh ku jetonte i pashqetësuar, ndërsa pas kthimit në Shqipëri do të vendoset në një burg të sigurisë së lartë për të vuajtur dënimin përjetë. Ai është i dyshuar për një sërë veprash penale, mes tyre porosi vrasjeje dhe përfshirje në aktivitete kriminale që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë. Çapja është i akuzuar nga SPAK si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan.

Florenc Çapja dhe xhaxhai i tij Ardian Çapja, i cili ndodhet aktualisht në burg, janë dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes së Nezir e Gentian Beqirit babë e bir në banesën e tyre në Elbasan në 2012.

Akuza ndaj tyre u bazua në dëshminë e Ervis Bardhit, që mban statusin e të penduarit të drejtësisë, i cili deklaroi se vrasja e babë e bir u porosit nga Ardian e Florenc Çapja për shumën e 50 mijë eurove. Bardhi është dënuar 15 vite burgim.

Olsi Leku që ka vepruar si ekzekutor është dënuar po ashtu përjetësisht, ndërsa Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani janë cilësuar fajtorë e dënuar me nga 25 vite burgim secili.

Pas dënimit, SPAK hetoi pasurinë e Çapjave dhe vendosi sekuestro mbi disa asete, ndërsa është duke hetuar nën dyshimet se pjesëtarët e këtij grupi janë të përfshirë në krime të rënda të ndodhura në Elbasan.

Advertisement