Connect with us

Shkrime

Me shpejt do dalë Hashim Thaçi nga burgu se do t’i hiqet “non grata” Berishës

Nga Denis Dyrnjaja

Ndryshimi i administratës amerikane në Washington, ku në Janar të vitit 2025 fuqinë ekzekutive do ta marrin në dorë republikanët me Donald Trumpin president, pritet të shoqërohet me një sërë reaksionesh të mëdha e të forta në gjeopolitikën botërore. Pa dyshim që pritshmëritë më të mëdha janë për konfliktet në zhvillim. Por pritet me interes edhe qasja që do të ketë administrata Trump 2 për zhvillimet në Ballkan. Psh me entuziazëm të madh pret Berisha dhe PD këtë rotacion politik në Washington, me shpresën se dikush do t’i flasë të veshi me kujdes Presidentit Trump për t’i zhbërë statusin “non grata” Berishës, që kërkon rikthimin e tretë në pushtet në Shqipëri në zgjedhjet e majit. Madje në SHQUP, nuk ngurojnë të krahasojnë dhe heqin paralele mes Berishës dhe Trumpit.

Por përtej këtyre përjetimeve deri tani i sigurt është emërimi i Richard Grenell si emisar i posaçëm për krizat. Dhe nëse Grenell do vendoste në axhendë një prioritet për Ballkanin me siguri ky nuk do të ishte statusi diplomatik i Berishës i dizenjuar nga SHBA si politikan i implikuar në korrupsion, apo që ka ndikuar në drejtësi dhe ka favorizuar familjarët e miqtë e tij për abuzim me pushtetin, por do të ishte zgjidhja e çështjes së raporteve Kosovë-Serbi ku brenda saj përfshihet edhe procesi i padrejtë gjyqësor ndaj ish drejtuesve të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Afrim Krasniqi e Rexhep Selimi. Ata mbahen prej 5 vitesh në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë për krimet e pretenduara të kryera prej tyre, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës nga regjimi dhe ushtria e Sllobodan Millosheviçit në Kosovë.

Një skenar për manipulim provash e dëshmitarësh në disfavor të Thaçit për të dënuar ish udhëheqësin politik të UÇK po bëhet gjithnjë e më i besueshëm me dyshimet e implikiminlt të prokurorit amerikan Jack Smith vetëm për shkak të marrëdhenieve të mira e të hapura që ish Kryeministri dhe ish Presidenti i Kosovës kishte vendosur me administratën e presidencës së parë të Trumpit. Dhe ura lidhëse e kësaj mardhenieje atë kohë ishte pikërisht Richard Grenell si i ngarkuar i posaçëm për raportet Kosovë-Serbi. . Duhet kujtuar se Jack Smith është prokurori që ka hapur e ndjekur hetime edhe për Presidentin Trump, i cili ka paralajmëruar shkarkimin e tij sapo të marrë detyrën pas datës 20 janar.

Nga tjetër New York Times njofton se prokurori i shenjuar nga Trump nuk do të presë ardhjen e Trumpitvnë Shtëpinë e Bardhë, por do të japë dorëheqjen më herët. Nga ana tjetër në një qëndim publik të para zgjedhjeve në Amerikë Richard Grenell ka konsideruar se mbajtja e Hashim Thaçit në burg është e padrejtë dhe do të ndërrmeren hapa për të ndryshuar këtë padrejtësi. Dhe këto janë deklarata e qëndrime konkrete, faktike dhe nominale, përndryshe nga çështja e “non gratës” se Berishës për të cilën ka vetëm iluzione dhe asgjë të bazuar mbi lëvizje konkrete që do të ndryshonin statusin e tij penalizues që e mban të izoluar ndërkombëtarisht. Për këtë është i qartë edhe vetë Berisha, pavarësisht se i duhet të mbajë të ndezur shpresën te militantët e tij se ndryshimi i madh do të ndodhë.

Por një sinjal paraprak ai e ka marrë së fundi nga Britania e Madhe e cila refuzoi edhe në apelim të ndryshojë statusin e Berishës duke e lënë atë përsëri “të padëshiruar”. Pra entuziazmi i idhëtarëve të pronarit të PD, ka nevojë për të qenë më i përmbajtur, pasi dhe zhgënjimi do të jetë shumë më i madh nëse pritshmëritë nuk do të shndërrohen në realitet dhe doktori do të mbetet përsëri një politikan i izoluar në selinë e vet.

Kjo do t’i komplikonte shumë gjërat edhe me administratën e re amerikane, e cila nëse nuk do të plotësonte qëllimin e Berishës do t’i rrëzonte atij dhe alibinë se statusi “non grata” është një sponsorizim i George Sorrosit kundërshtarit kryesor të Trumpit në establishmentin demokrat. Pra do të mbetet përjetësisht një “non grata”.

Advertisement