Connect with us

Kosova

Me tritol në dorë/ Serbia, nyja kritike e Ballkanit

Taulant Elshani, hulumtues në Institutin ‘Octopus’, tha se ndryshimet e mëdha në peizazhin gjeopolitik global po ndikojnë shumë edhe në rajonin e Ballkanit dhe se Serbia është padyshim nyja kritike e kësaj dege ndryshimesh, duke artikuluar hapur idenë politike për revizionizëm përmes programit “Bota Serbe” dhe duke manifestuar qartë gatishmërinë për të rrezikuar paqen

“Në kuptimin ideologjik shtetëror, revizionizmi modern serb përfaqësohet me “Botën Serbe”. Ky slogan trumbetohet fuqishëm në diskursin publik në Serbi, nga politikanë të lartë të Beogradit zyrtar si dhe nga mediat e kontrolluara nga shteti.” – kujtoi analisti, sipas të cilit, për të kuptuar thelbin e gjendjes aktuale të Serbisë, duhet të thellohemi në punët e brendshme të ndërlikuara që formojnë peizazhin e saj politik, jetën politike, nivelin e zhvillimit, marrëdhëniet me vendet e rajonit, pozicioni i saj aktual në kontekstin e aspiratave për integrim, lufta e brendshme për pushtet, fantazitë nacionaliste si dhe krimin dhe mafien gangrenë.

I pyetur nëse mundet Serbia të ndryshojë me forcë kufijtë politikë të rajonit të Ballkanit, Elshani u shpreh: Serbia ka ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme modernizimi për të forcuar kapacitetet e forcave të saj të armatosura dhe aparatit të saj të inteligjencës, duke riafirmuar qartë se është gati të shoqërojë retorikën nacionaliste me forcën ushtarake në terren. Fuqitë perëndimore duhet t’i marrin shumë seriozisht këto ambicie të Serbisë dhe jo t’i tolerojnë; duke e detyruar Serbinë të pranojë realitetin e ri dhe duke e shtyrë atë drejt demokratizimit të brendshëm. Çdo qasje tjetër do të ishte e gabuar.

Advertisement