Kosova
Me urdhër të Vuçiç ka modifikuar raporte të OSBE-së për situatën në Kosovë, ngrihet aktakuzë për spiunazh ndaj ish zyrtares së OSBE

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të enjten aktakuzë kundër të pandehurës J.GJ. nga komuniteti serb nën dyshimet për kryerje të veprës penale të “spiunazhit”.
E pandehura, e cila ka punuar në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në degën në Mitrovicë, është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti në Jarinjë, pikë e kalimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Prokuroria ka thënë se për një afat të pacaktuar e deri në ditën e arrestimit, e pandehura “me vetëdije ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (BIA)”.
Sipas Prokurorisë, ajo ka bashkëpunuar me Aleksandar Vllajiqin, dhe duke marrë udhëzime prej tij, ka përpiluar raporte të OSBE-së për pasqyrim të situatës politike dhe sigurisë në Kosovë, dhe ka kontribuuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës e kanë dënuar Vllajiqin në qershor të këtij viti me pesë vjet burgim, pasi ai e kishte pranuar fajësinë, duke thënë se është përfshirë në spiunazh si anëtar i BIA-s serbe. Ai është dënuar edhe për posedim të paligjshëm të armëve.
Prokuroria ka thënë se J.Gj. ka siguruar dhe shpërndarë dokumente të ndjeshme për interesa të BIA-s, dhe që këto veprime kanë cenuar rendin kushtetues, sigurinë kombëtare të Kosovës, dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.
“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë”, është thënë mes tjerash në komunikatën e Prokurorisë.
Muajve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar, akuzuar dhe gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se kanë spiunuar për shërbimet e inteligjencës së Serbisë. Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor. Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare./REL

