Kosova
Me vetëm tre deputetë, Fatmir Limaj do ‘mesin e byrekut’: Jemi të gatshëm për marrëveshje politike me Kurtin

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vendi nuk duhet të shkojë drejt një cikli të ri zgjedhor për shkak të dështimit për të formuar institucionet. Pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile, ai ka bërë thirrje për marrëveshje ndërmjet partive parlamentare për tejkalimin e ngërçit aktual në Kosovë.
“Pajtohemi se bllokimi i institucioneve është i papranueshëm dhe çdo tentim për të shkuar në zgjedhje të reja për shkak të dështimit për të formuar institucionet është i dëmshëm për vendin. Kjo është një dukuri që e cënon të ardhmen politike dhe demokratike të shtetit tonë”, ka deklaruar Limaj, sipas njoftimit të lëshuar nga Nisma.
Ai ka ritheksuar se Nisma është e gatshme të japë kontribut në ndërtimin e një marrëveshjeje politike që do të garantonte funksionalitetin institucional, përkatësisht zhbllokimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e institucioneve të reja në Kosovë.
“Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të kontribuar në ndërtimin e një marrëveshjeje politike që e zhbllokon situatën dhe garanton stabilitet. Qytetarët presin zgjidhje dhe qeverisje, jo krizë të përhershme. Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe lidership që merr përgjegjësi”, ka shtuar mes tjerash kreu i Nismës.
Ndryshe, pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, procesi i konstituimit të legjislaturës së nëntë ka hasur në vështirësi. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar deputeten e saj, Albulena Haxhiu, për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ajo ka dështuar të sigurojë shumicën e nevojshme të votave në 25 seanca konstituive.

