Aktualitet
Me vlerë 120 mijë euro, konfiskohet apartamenti i Julian Sulos
Gjykata e Apelit në Vlorë ka sekuestruar në Lushnjë apartamentin me vlerë 120 mijë euro në pronësi të 43 vjeçarit Julian Sulo, të njohur ndryshe si ‘Juli i Pashakos’. Ky person rezulton të jetë i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit.
Konfiskimi u mor si masë pas hetimit pasuror të nisur ndaj 43 vjeçarit i cili dyshohet se ka ngritur pasurinë e tij nëpërmjet veprimtarive kriminale.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vijon puna hetimore për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale. Konfiskohet një apartament me vlerë 120 000 euro, në pronësi të një 43-vjeçari të dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushat e narkotikëve dhe krimeve kundër personit. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, për konfiskimin e një apartamenti me vlerë 120 000 euro, në pronësi të shtetasit J. S., 43 vjeç, banues në Lushnjë.
Konfiskimi i apartamentit u bë në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale të kryera në kuadër të një procedimi pasuror të iniciuar ndaj 43-vjeçarit. Apartamenti i konfiskuar dyshohet se është përfituar nga veprimtari kriminale në fushat e narkotikëve dhe krimeve kundër personit, për të cilat shtetasi J. S. ka qenë i dënuar. Vijojnë hetimet intensive për evidentimin e pasurive të tjera në pronësi të këtij shtetasi dhe të shtetasve të tjerë të lidhur me të.