Bota
Media amerikane trondit: Trump u ka kërkuar shteteve të Ballkanit t’i pranojnë emigrantët e dëbuar

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po ushtron presion mbi Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit që të pranojnë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara. Lajmin e raportoi sot “Bloomberg News”. Kërkesat e dërguara vendeve në rajon janë pjesë e një strategjie më të gjerë amerikane për të gjetur qeveri të huaja të gatshme të pranojnë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyrat rajonale të Departamentit të Shtetit të SHBA-së u ngarkuan me detyrën e prezantimit të idesë, tha një nga personat që ishte në dijeni të kërkesave të Trump. Por nuk është e qartë nëse është arritur ndonjë marrëveshje si rezultat i bisedimeve. Vetë Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë për këtë çështje dhe as Departamenti i Shtetit. Edhe pse “Bloomberg” ka kontaktuar, asnjë përgjigje nuk ka ardhur as nga Ministria e Jashtme e Serbisë. “Wall Street Journal” raportoi gjithashtu se në prill SHBA-të kishin shqyrtuar mundësitë për të dërguar të dëbuarit diku tjetër në Ballkan, ndoshta në Moldavi apo në Kosovë.
Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të revokojë statusin e përkohshëm ligjor të qindra mijëra emigrantëve që jetojnë në SHBA, duke forcuar më tej shtytjen e Trump për të vazhduar me deportimet e emigrantëve të paligjshëm.
Statusi i përkohshëm ligjor është revokuar për emigrantët nga vendet e mëposhtme: Venezuela; Kuba; Haiti; Nikaragua.
Dje, presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv që u ndalon qytetarëve të 12 vendeve të hyjnë në SHBA. Lista përfshin këto vende: Çad, Kongo, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Libia, Somali, Sudan, Afganistan, Mianmar, Iran, Jemen dhe Haiti.
Përveç kësaj, hyrja e qytetarëve nga shtatë vende të tjera do të kufizohet pjesërisht: Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Turkmenistani dhe Venezuela.
“Presidenti Trump po përmbush premtimin e tij për të mbrojtur amerikanët nga aktorët e huaj të rrezikshëm që duan të hyjnë në vendin tonë dhe t’i dëmtojnë shtetasit tanë,”– shkroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, në rrjetin “X”.
Marrëveshjet për të pranuar emigrantët e deportuar nuk janë të paprecedentë në rajonin e Ballkanit. Një marrëveshje e ngjashme u arrit midis Italisë dhe Shqipërisë pasi Kryeministrja Giorgia Meloni e bindi kombin ballkanik të hapte qendra për emigrantët e paligjshëm që përpiqeshin të kalonin nga Afrika në Evropë. Italia paguan për koston e qendrave. Megjithatë, marrëveshja ka hasur në vështirësi praktike dhe në betejat e veta në gjykatat italiane.

