Shkrime
Media gjermane: Rama i hapi rrugën Vjosa Osmanit tek Trumpi në Davos
Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) ka shkruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka siguruar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, hyrjen tek presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, gjatë pjesëmarrjes së saj në Davos të Zvicrës, ku Kosova iu bashkua Bordit të Paqes.
“Sipas informacioneve jozyrtare nga Prishtina, ajo e ndërmori këtë hap pa u koordinuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Përkundrazi, thuhet se ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që ia siguroi Osmanit hyrjen tek Trumpi”, thuhet në artikull.
Gazetari i FAZ-it, Michael Martens, ka vlerësuar se Osmani po i afrohet familjes së Donald Trump për shkak se synon që në këtë mënyrë të rizgjedhet presidente e
“Kalkulimi i saj mund të dështojë edhe pse ajo arriti që Kosovën ta bëjë një nga shtetet që së fundmi në Davos iu bashkuan ‘Bordit të Paqes’ enigmatik të Donald Trumpit. Osmani u shfaq në Zvicër me krenari krah presidentit amerikan dhe që atëherë flet për arritjen e madhe, që sipas saj përfaqëson faktin se vendi i saj u bë anëtare themeluese e këtij formacioni”.
Artikulli, i cili është publikuar të mërkurën, thotë se Rama ka qasje te familja presidenciale e SHBA-së, pasi sipas tyre ia ka dhënë dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, lejen për një projekt shumë miliardësh të pasurive të paluajtshme në ishullin e Sazanit.
“Kryeministri shqiptar nuk e duron Kurtin, udhëheqësin politik më popullor të shqiptarëve në Ballkan. Prandaj, ai shfrytëzon çdo rast për ta forcuar Osmanin si rivale të Kurtit”, shkruan FAZ.
Ndër të tjera, thuhet se Osmani ka mungesë të përkrahjes nga Kuvendi i Kosovës.
“Osmani po e luan lojën e saj… Ajo synon një mandat të dytë dhe për këtë i nevojitet mbështetja e Parlamentit të Kosovës, deputetët e të cilit e zgjedhin kreun e shtetit. Por, këtë mbështetje nuk e ka. Gjatë viteve të fundit nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të gjerë në Parlament. Në Prishtinë ajo përshkruhet si e vështirë në aspektin personal. Shumë bashkëpunëtorë të afërt, si ish-shefi i kabinetit të saj, Blerim Vela, nuk kanë qëndruar gjatë pranë saj.
Lidhur me gjithë këtë situatë, gazeta gjermane shkruan se Osmani në mënyrë indirekte “kërcënon”.
“Kërcënimi është: Nëse nuk më rizgjedhni presidente, do të keni telashe me SHBA-në”. Disa vite më parë një kalkulim i tillë mund të kishte funksionuar”.
Ndër të tjera, është përmendur vendimi i Osmanit për të organizuar një pritje të madhe për premierën në Prishtinë të dokumentarit “Melania”, të bashkëshortes së Trumpit, Melania Trump.
“Filmi, thuhej, ishte shfaqur me sukses të madh në Kosovë dhe bashkoi artistë, yje si dhe miq të Kosovës dhe SHBA-së për të përjetuar një paraqitje të guximshme të familjes presidenciale amerikane” dhe “forcës së jashtëzakonshme udhëheqëse me ndikim të Melania Trump. Deklarata të tilla të Osmanit u kritikuan nga shumë kosovarë, në rastin më të mirë u konsideruan të panevojshme, e disa i quajtën servile apo pa shtyllë kurrizore”.
Po ashtu, thuhet se Kosova është shteti më pro-amerikan në botë, por edhe atje është vënë re se Uashingtoni i Trumpit nuk është më ai i Bill Clintonit dhe George E. Bushit.
“Dominimi i “Vetëvendosjes është i veçantë edhe për faktin se marrëdhëniet e Kurtit me Trumpin nuk janë të mira. Kurti e ka mbështetur hapur Joe Bidenin gjatë fushatës zgjedhore në SHBA dhe në vitin 2024 kishte marrë pjesë në mënyrë demonstrative në konventën e Partisë Demokratike në Chicago. Pas fitores së Trumpit, kjo ishte gjithçka tjetër veçse e dobishme për Kosovën.