Kosova
Media serbe nxjerr prapaskenat/ SHBA sjell “peshat e rënda” për të shmangur konfliktin Kosovë-Serbi
Kur në fillim të gushtit mbërritën njoftimet e para nga Prishtina se së shpejti do të fillonte qarkullimi i automjeteve në urën e Ibrit, përfaqësuesit e KFOR -it, EULEX-it, BE-së, si dhe të gjithë diplomatët perëndimorë të udhëhequr nga ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, menjëherë e kundërshtuan atë. Mirëpo, kjo nuk e pengoi Kurtin dhe bashkëpunëtorët e tij që të vazhdojnë praktikisht të “caktojnë” deri dhe kohën për hapjen e urës, derisa kreu i CIA-s zbarkoi në Prishtinë.
Sipas medias serbe “Blic”, që pas ardhjes së tij ka patur vetëm heshtje. Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm, tha se Amerika përdori “artileri të rëndë” me ardhjen e Burns në Ballkanin Perëndimor.
Ai beson se Amerika nuk i ka përdorur të gjitha mjetet ndaj kryeministrit Kurti.
“Të gjithë thonë se SHBA-të e kanë zëvendësuar një herë Kurtin, por ai u kthye edhe me I forte. Unë nuk jam dakord me këtë. Sikur Uashingtoni të kishte thënë që në fillim se Kurti nuk e kishte mbështetjen e tij morale, financiare apo politike, sigurisht që Kurti nuk do t’i fitonte zgjedhjet” – deklaroi Popov.
Nga ana tjeter, Petrit Selimi, ish-ministri i jashtëm i Kosovës, pajtohet se vizita e Burns në Prishtinë kishte një “ndikim të menjëhershëm” në planet e Prishtinës për urën.
“Duket se problemi është kthyer ne pluhur dhe mund të fokusohemi në gjëra të tjera” – deklaroi Selimi.
Kurse Burim Ramadani, ish-kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, vuri në dukje ndryshimin drastik në politikën e Prishtinës, dhe tha se anëtarët e qeverisë së Vetëvendosjes së Kurtit “nuk përhapin më urrejtje dhe arrogancë” që nga e premtja e takimit te kryeministrit të Kosovës me kreun e CIA-s.
“Mbetet për t’u parë nëse ky është vetëm një pushim momental apo kanë ‘mësuar’ atë që nuk guxojnë të bëjnë më. Gjuha helmuese e eksponentëve të pushtetit ndaj faktorit ndërkombëtar, ka dëmtuar rëndë shëndetin e Kosoves”- theksoi Ramadani.