Connect with us

Bota

Mega operacion i Interpol/ 15 mijë të arrestuar, mes tyre shqiptarë

Autoritetet në Amerikën Latine arrestuan më shumë se 14,000 njerëz dhe sekuestruan më shumë se 8,000 armë të paligjshme në kuadër të një operacioni të koordinuar nga Interpoli. Sipas njoftimit nga Interpol, operacioni që mban emrin “Trigger IX” u zhvillua mes 12 marsit dhe 2 prillit, falë bashkëpunimit mes 15 vendeve, si dhe lejoi sekuestrimin e 300 mijë plumbave dhe 203 tonë kokainë.

“Fakti që një operacion që synon armët e zjarrit të paligjshme ka çuar në konfiskime kaq masive droge është një provë tjetër… se këto krime janë të ndërlidhura,” tha Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Jürgen Stock.

Vlera e drogës së sekuestruar, e cila përveç kokainës përfshin edhe produkte të tjera narkotike, shkon në 5700 milionë dollarë. Autoritetet sekuestruan gjithashtu 372 ton përzierës droge.

Operacioni çoi në “çmontimin” e 20 grupeve të organizuara kriminale, duke përfshirë arrestimin e anëtarëve të grupit Brazilian Primeiro Comando da Capital, bandës Mara Salvatrucha dhe Kartelit Ballkanik, mes të cilëve ka dhe shqiptarë.

Sipas të dhënave të deritanishme, në total janë arrestuar 14.260 persona, u sekuestruan 8.263 armë dhe 305.000 plumba.

Autoritetet në Uruguai sekuestruan 100 mijë copë municione, të trafikuara nga dy shtetas europianë, duke shënuar kapjen më të madhe të këtij lloji në vend.

Autoritetet në Brazil dhe Paraguaj kanë bastisur gjithashtu disa magazine me armë zjarri. Interpol shton se bashkëpunimi policor bëri të mundur zbulimin e krimeve të tjera si korrupsioni, mashtrimi, trafikimi i qenieve njerëzore, krimet mjedisore dhe aktivitetet terroriste, detajet Interpol.

Njëmbëdhjetë persona u prangosën në Paraguaj për trafikim të qenieve njerëzore nga Kolumbia e Venezuela, si dhe u ndalua një venezuelian, i cili kërkohej nga Interpoli për terrorizëm dhe trafik armësh.

Vendet ku u ushtruan kontrolle janë: Argjentina, Bolivia, Brazili, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuador, El Salvador, Guatemala, Hondurasi, Meksika, Panama, Paraguaj, Peru dhe Uruguai.

Advertisement