Aktualitet
Mega-operacioni i SPAK/ Ja si u zbuluan krimet dhe roli i Francës
TIRANË– Një hetim i SPAK për akuzat e vrasjes dhe korrupsionit çoi në qeli ditën e djeshme 6 persona mes tyre emra të rëndësishëm të policisë, prokurorisë dhe biznesit. Po ashtu, 9 të tjerë u shpallën në kërkim. NTV.AL ka mësuar se një letërporosi e mbëritur nga Drejtësia Franceze, ka sjellë një volum të madh bisedash të kryera përmes aplikacionit “Sky” dhe “Encro”, të cilat tregojnë se personazhe të këtij grupi si Enver Bajri, Ervis Martinaj, Elio Hato, Pëllumb Gjoka dhe persona të tjerë flasin me njëri-tjetrin për vrasje dhe plane ekzekutimesh të emrave të ndryshëm në Shkodër. Emrat e Ervis Martinaj, Behar Bajrit dhe Edmond Prekës, dyshohet se dalin në ngjarjen e ndodhur në 9 Gusht 2020 në zonën e Vaut të Dejës në Shkodër, ku mbeti i vrarë Gjin Ndoji alias “Boriçi”. Vrasja është kryer me 4 plumba pistolete, ndërsa viktima ishte një personazh që në Shkodër, njihej si anëtar i grupit “Bajri”.
Boriçi ka qënë njeri i afërm me grupin Bajri, ndërsa pas hetimeve të SPAK del se vetë drejtuesit e kanë ekzekutuar ushtarin e tyre. Gjin Boriçi është dyshuar si njëri nga autorët e vrasjes në Shkodër të Fatbardh Licit, xhaxhait të Ibrahimit. Arma tip pistoletë “Scorpion” e përdorur në këtë vrasje të ndodhur në 2018, dyshohej se ishte përdorur disa vite më parë dhe në një ngjarje tjetër nga Gjin Boriçi.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, rezulton të jetë arrestuar nga SPAK pas dyshimeve për akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” në formën e grupit të strukturuar kriminal. Dyshohet se Gjoka ka siguruar automjete në planin për të vrarë Ibrahim Licin, një emër jo i panjohur nga policia Shqiptare.
Njëherësh dy njerëzit që kontrollojnë lojrat e fatit në Shqipëri, Pëllumb Gjoka dhe Ervis Martinaj, dyshohet se janë impenjuar për të vrarë, ish-punonjësin e policisë së Burgjeve, Kleant Musabelliu.
Një emër tjetër mjaft i njohur në botën e krimit që është shpallur në kërkim nga SPAK është dhe Asmer Bilali, i cili dyshohet se dyshohet për tentativën e vrasjes së Dorjan Dulit, Ibrahim Lici dhe Genci Tafilit. Në luftën mes bandave, Bilalit i është vrarë në të njëjtën ditë, babai dhe xhaxhai i tij.
Në planin për të vrarë Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licin, dyshohet se ka marë pjesë dhe oficeri i policisë në Shkodër, Ardit Hasanbega. Duli është vënë në dijeni të planit për vrasje dhe ka kërkuar takim direkt me Ardit Hasanbegën, të cilit i ka bërë të qartë planin që ishte kurdisur për vrasje.
Një emër tjetër për të cilin është vendosur masë siguria nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar në dosjen ku ka zyrtarë e prokurorë, është dhe Elion Hato, që fillimisht u shpall në kërkim për vrasje në paramendim të mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Taulant Pepaj, ngjarje kjo e ndodhur në muajin Shkurt 2021.
SPAK përmbylli mbrëmjen e djeshme fazën e arrestimeve. Në total janë 14 masa sigurimi, ku disa prej tyre janë ekzekutuar nga policia, ndërsa disa janë shpallur në kërkim. Akuzat janë për “Vrasje me parmanedim” kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, ”Sigurim i kushteve për të kryer vrasje”, “Korrupsion”, “Shpërdorim detyre” dhe “Nxjerje e sekretit hetimor”.
Ndërsa shumë persona, mes të cilëve Safet Bajri, Ilir Bajri, Erogen Vaso alias (Brajoviç) etj, janë shoqëruar në ambjentet e policisë, të cilët pasi janë marë në pyetje më pas u lënë të lirë.