Aktualitet
“Meloni depërtoi të torturuarit nga Almasri”/ Deputetët e opozitës italiane vizitojnë kampin në Gjadër
Mediat italiane e kanë kthyer sërish vëmendjen në marrëveshjen “Itali-Shqipëri” për emigrantët. Vetëm pak ditë më parë në kuadër të kësaj marrëveshje, një anije me 49 persona në bord zbarkoi në Shqipëri, për të nisur më pas procedurat për pritjen, ndalimin dhe vlerësimin e rasteve individuale për çdo emigrant.
Por ky transportim duket se nuk ka qënë aq i lehtë për emigrantët të cilët kanë rrëfyer përjetimet e tyre, nga momenti i nisjes deri në mbërritjen e tyre në Shqipëri. Sipas artikullit të medias italiane La Repubblica rëfimet e tyre emigrantët i kanë treguar për dy deputetë të opozitës italiane të cilët kanë vizituar nga afër kampin në Gjadër.
Artikulli shkruan se kampi është vizituar nga deputetët demokratë Toni Ricciardi, Rachele Scarpa dhe Nadia Romeo të cilët kanë dëgjuar nga afër dëshmitë e emigrantëve. Deputetët e opozitës italiane kanë deklaruar se marrëveshja për emigrantët është në kundërshtim me të drejtat e njeriutt, duke ngritur shqetësime mbi mungesën e ekspertëve nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, të cilët duhet të kishin monitoruar më nga afër kushtet shëndetësore të migrantëve. Gjithashtu depuetët kanë deklaruar se disa nga emigrantët e huaj të deportuar në Gjadër janë viktima të torturuesit libian Almasri, për të cilin kryeministria Giorgia Meloni është vënë nën hetim.
Artikulli i plotë i La Repubblica:
Në qendrën e ndalimit në Gjader, Sharmin ecën me vështirësi në dhomën e intervistave. Këpucët që i kanë dhënë janë shumë më të mëdha për këmbët e tij dhe nuk kanë lidhëse.
Ai kishte mbërritur në Zuara nga Bangladeshi, duke kaluar fillimisht nga Dubai dhe Egjipti. I kishin thënë se në Libi mund të fitonte shumë para, prandaj vendosi ta bënte atë destinacionin e tij.
Por, sapo arriti, filloi të punonte si bojaxhi. Pas dy muajsh, policia libiane e rrëmbeu dhe ia dorëzoi mafies. U detyrua të jetonte me dhjetëra të tjerë në një magazinë të madhe.
“Më torturonin duke më rrahur me shkopinj në shputa,” – rrëfen ai.
Më pas, filluan të kërkonin para nga familja ime. Fillimisht, pagova 5000 dinarë (rreth 1000 euro) për të dalë i lirë. Pastaj, më kërkuan edhe 35,000 dinarë (rreth 7000 euro) për të hipur në një varkë drejt Italisë. Dhe unë isha nga fatlumët.”
Sharmin nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për Shqipërinë, vendi ku përfundoi pas një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë. Ai hipi në një varkë të vogël për të kaluar Kanalin e Sicilisë, ku më pas u shpëtua nga roja bregdetare italiane dhe iu dorëzua marinës ushtarake.
Së bashku me të tjerë, u ngjit në bordin e anijes Calliope, ku më pas u përzgjodhën për t’u dërguar në Shqipëri. Kur mori vesh për destinacionin e ri, bashkë me të tjerët, nisi një grevë urie.
Mohammed dhe Realiteti i Egër i Libisë
Ndërkohë, Mohammed, një egjiptian që punonte si marangoz, rrëfen një histori të ngjashme. Në disa ditë, fitoja aq pak sa nuk mundesha as të ushqeja familjen time,” thotë ai. Veshur me një tuta blu dhe me shapka mbi çorape, ai përshkruan tmerrin që përjetuan në Libi.
“Ata që nuk bindeshin për të paguar, i varnin me krahë në grepa si ndëshkim dhe i filmonin për të frikësuar familjet e tyre.”
Sipas Toni Ricciardit, deputet i Partisë Demokratike, të dy migrantët tregojnë se ishte vetë policia libiane që i dorëzonte te bandat kriminale.
“Në Libi, ishim të pambrojtur. Çdokush mund të na shfrytëzonte e të na torturonte,” – thanë ata në dëshmitë e tyre.
Ricciardi, së bashku me koleget e tij Rachele Scarpa dhe Nadia Romeo, i dëgjoi nga afër dëshmitë e tyre pas intervistave të zhvilluara nga komisioni për mbrojtjen ndërkombëtare. Po ashtu, gjatë vizitave mjekësore të realizuara në qendër, u konstatua se një tjetër migrant ishte në gjendje të rënduar shëndetësore dhe duhej të transferohej në një qendër pritjeje në Itali. Ky ishte rasti i gjashtë brenda pak ditësh që dërgohej sërish në Itali pas mbërritjes në Shqipëri me Calliope.
Shkelje të të Drejtave dhe Paqartësi Ligjore
“Të ndaluarit këtu janë viktima të torturuesit libian Almasri, të cilët qeveria jonë i ka deportuar në Shqipëri. Ata nuk e dinë ende se çfarë i pret,” – deklaroi deputetja Scarpa, duke ngritur shqetësime mbi mungesën e ekspertëve nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, të cilët duhet të kishin monitoruar më nga afër kushtet shëndetësore të migrantëve.
Ajo dhe organizatat e të drejtave të njeriut janë gjithashtu të shqetësuara për të drejtat e mbrojtjes ligjore për migrantët e transferuar në Shqipëri. Gjatë ditëve të ardhshme, ata do të dëshmojnë përpara gjykatës së Apelit në Romë përmes videokonferencës, por ende nuk dinë se cilët do të jenë avokatët e tyre dhe nuk kanë patur mundësi të bisedojnë me ta.
“Është një situatë shumë e rëndë,” – tha avokati Gennaro Santoro, i cili kërkoi një takim urgjent për të diskutuar mbi problemet e të drejtës për mbrojtje ligjore për migrantët në qendrën shqiptare.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e një tjetër të ndaluari mbetet shqetësuese. Ai ka kaluar gjithë ditën me temperaturë të lartë dhe është mbajtur me serum, ndërsa më vonë u shtrua në spital për shkak të djegieve që kishte pësuar më herët.
Ndërsa migrantët vazhdojnë të rrëfejnë për kushtet çnjerëzore në burgjet libiane dhe tarifat që duhej të paguanin për të fituar lirinë, qeveria italiane vijon t’i refuzojë kërkesat e tyre për azil, duke i konsideruar ato si “të pabaza.”
Në Shqipëri, situata mbetet e pasigurt për migrantët, të cilët nuk dinë ende çfarë do të ndodhë me ta. Me ta janë edhe aktivisti i ActionAid, Francesco Ferri, dhe përfaqësuesit e organizatave Arci dhe Tavolo Asilo e Immigrazione, të cilët vazhdojnë të ndjekin nga afër rastin dhe të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre.