Bota
FUND DASHURIE/ MELONI ‘GODET’ TRUMPIN
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka kritikuar ashpër Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për luftën ndaj Iranit, duke deklaruar se sulmet janë kryer “jashtë kuadrit të së drejtës ndërkombëtare”.
Në një fjalim në Senatin italian, Meloni e cilësoi si “masakër” sulmin me raketë ndaj shkollës së vajzave Shajareh Tayyebeh në qytetin Minab në jug të Iran, që ndodhi më 28 shkurt.
Sipas raportimeve, nga sulmi humbën jetën më shumë se 160 persona, shumica fëmijë.
Kryeministrja italiane kërkoi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zbulojnë përgjegjësit për sulmin, ndërsa theksoi se Italia nuk ka ndërmend të përfshihet në konflikt.
“Kjo është një ndërhyrje në të cilën Italia nuk është pjesë dhe nuk ka ndërmend të marrë pjesë”, deklaroi ajo para senatorëve.
Meloni shtoi gjithashtu se, deri tani, SHBA-të nuk kanë kërkuar përdorimin e bazave ajrore italiane për operacionet ushtarake, por nëse një kërkesë e tillë bëhet, ajo do të duhet të diskutohet dhe miratohet nga parlamenti italian.
Megjithatë, Meloni theksoi se Irani nuk duhet të lejohet të zotërojë armë bërthamore, pasi një zhvillim i tillë do të kishte pasoja serioze për sigurinë globale dhe për Evropën.
Komentet e saj mund të krijojnë tension me presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin Meloni konsiderohet se ka pasur marrëdhënie të afërta politike në të kaluarën. Ajo ishte gjithashtu një nga liderët e paktë evropianë që mori pjesë në inaugurimin e tij të dytë presidencial.
Sipas Melonit, konflikti duhet parë edhe në kontekstin e një krize strukturore të sistemit ndërkombëtar, ku ndërhyrjet e njëanshme dhe jashtë ligjit ndërkombëtar po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke rritur pasigurinë globale.