Kronike
Meloni: Ukraina, mbështetje të plotë nga Italia

Kryeministrja e italisë, Giorgia Meloni ka mbërritur këtë të martë në kiev për vizitën e parë të saj në Ukrainë, vetëm pak ditë para përvjetorit të pushtimit rus. Kryeministrja do të vizitojë po ashtu Buchan dhe Irpinin, periferitë e Kievit nga ku ushtria ruse u tërhoq me turp në fillim të luftës por ku la pas qindra viktima civile. Pasdite, meloni do të takohet edhe me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski. Meloni, e cila mori detyrën në tetor, ka shprehur vazhdimisht dëshirën për ta vizituar Ukrainën. Pas marrjes së detyrës, ajo tha se Ukraina mund të mbështetet tek qeveria e re italiane. Ish-kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka qenë një prej mbështetësve më të fuqishëm të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, pavarësisht se Italia ka varësi të madhe ndaj gazit rus. Roma po ashtu ka dërguar armë për t’i ndihmuar Kievit që të luftojë forcat e presidentit rus, Vladimir Putin. Meloni, cila drejton partinë e ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë, është euroskeptike, por ka mbështetur qëndrimin e Draghit sa i përket Ukrainës edhe pse aleatët e saj në koalicionin zgjedhor, lideri i partisë Liga, Matteo Salvini, dhe ish-kryeministri Silvio Berlusconi, kanë raporte të mira me Moskën. Ajo është distancuar nga partnerët në koalicionin e saj qeverisës. Ashtu si edhe presidenti amerikan Joe Biden, një ditë më parë, por jo me të njëjtat masa sigurie, edhe kryeministrja italiane ka udhëtuar gjatë gjithë natës me tren për të mbërritur në kiev.

