Bota
Merkel rishfaqet në arenën politike, thirrje Evropës: Dëgjojeni Trump, BE duhet të jetë më e kujdesshme

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të bashkohet në dritën e luftërave dhe krizave, si dhe politikave proteksioniste të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA raporton se ish-liderja e CDU foli në një simpozium të Fondacionit Konrad Adenauer mbi Traktatin e Lisbonës dhe teksa shqyrtoi vështirësitë gjeopolitike për Evropën në raport me Rusinë ose Kinën, Merkel tha se po mendon për atë që “një shtet anëtar i Bashkimit Evropian mund të arrijë” mbi këto çështje.
“Ne të gjithë jemi, madje edhe Gjermania më e madhe ekonomikisht, krejtësisht të vetëm në fushë të hapur. Kjo është arsyeja pse Evropa është bërë më e rëndësishme nga sa mund të mendohet”, shtoi Merkel.
Merkel tha gjithashtu se disavantazhi i Marrëveshjes së Lisbonës është se Konventa Evropiane duhet të mblidhet për ndryshime të mëdha. “Ne si Bashkim Evropian duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e bëjmë të pamundur për veten tonë të veprojmë”, paralajmëroi ajo.

