Aktualitet
Merr fund detyra e Dallëndyshe Bicit në IKMT, Rama rikthen Ajet Zyberin
Rikthimi i Dallëndyshe Bicit në postin e drejtoreshës së Përgjithshme të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka zgjatur vetëm 6 muaj.
Burime për mediat bëjnë me dije se ajo është shkarkuar me vendim Qeverie në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të mbajtur jashtë rendit të ditës mbrëmjen e djeshme.
Para se të rikthehej në krye të IKMT-së, Bici ishte në krye të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK). Në krye të IKMT-së ajo u emrëua, pasi zëvendësoi Ervin Hoxhën, i cili u emërua ministër i Brendshëm, teksa atë post ajo e kishte mbajtur edhe më herët.
Burime bëjnë me dije se në krye të IKMT-së në vend të Dallëndyshe Bicit është emëruar Ajet Zyberi, i cili po ashtu e ka mbajtur edhe më herët këtë post.
Ndërkohë, mësohet se është shkarkuar edhe ish-deputeti i PS, Anduel Xhindi nga posti i drejtorit të “Illyrian Guard”. Kjo e fundit shoqëri tregtare me kapital 100 % shtetëror për ofrimin e shërbimeve me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit dhe të sigurisë publike.
Burime bëjnë me dije se vendin e Xhindit e ka zënë Enrik Banushi. Xhindi u emërua si drejtor i ‘Illyrian Guard’, në muajin Tetor të vitit 2023.