Connect with us

Bota

Merr tjetër kthesë vrasja e shqiptarit në Itali, hetuesit kanë dyshime se ekzekutimi u planifikua

Ndonëse tejet të rezervuar në dhënien e informacionit, hetuesit italianë duket se janë afër zbardhjes së vrasjes së shqiptarit Bledar Dedja. Këtë të enjte, mediat italian shkruajnë se ka dyshime se 39-vjeçarit i është bërë pritë dhe vrasja ka qenë e planifikuar.

Hipoteza kryesore është se viktima ka lënë takim me vrasësin. Ky i fundit dyshohet të ketë ardhur me makinë, të cilën e ka parkuar pranë mjetit të Dedja. Nuk përjashtohet edhe mundësi që shqiptari të jetë goditur fillimisht brenda këtij automjeti.

Sa i takon makinë se shqiptarit, në dritë del një tjetër detaj. Karabinierët e gjetën Mercedesin të mbyllur dhe çelësat e zhdukur. Për të hapur mjetin e viktimës ata përdorën çelësat rezervë që kishte në shtëpi. Nuk përjashtohet mundësi që çelësat i ka marrë vrasësi.

Bledar Dedja u vra pasditen e së shtunës në pyjet e Paderno del Grappa, në Asolo të Treviso-s. Trupi i tij i pajetë u zbulua mëngjesin e së dielës, i goditur të paktën 20 herë me thikë. Pavarësisht hetimeve intensive, deri më tani nuk ka ende një autor të dyshuar. As arma e krimit nuk është gjetur.

Dyshimet kryesore të hetuesve janë se kemi të bëjmë me një krim pasioni. Deri më tani janë marrë me dhjetëra persona në pyetje, ndërsa në analizë të detajuar është marrë telefoni i viktimës për të kuptuar se me kë ka biseduar e me kë kishte lënë takim atë pasdite.
Advertisement