Kronike
Merrte asistencë si i papunë, pranga shqiptarit në Romë, trafikonte kokainë nga interneti

Një 35-vjeçar shqiptar, i cili trajtohej me asistencë sociale në Itali, është arrestuar nga policia e Romës për përfshirje në trafikun e drogës. I riu operonte si korrier droge në zonën e Colombo, duke shpërndarë kokainë dhe krak (crack) nëpërmjet porosive online dhe rrjeteve sociale.
Oficerët ndoqën makinën e shqiptarit, i cili e parkoi pranë një supermarketi. Pak më tej e priste porositësi i mallit, po me makinë. Gjithashtu ata panë edhe momentin kur zarfi i drogës u shkëmbye me një tufë parash, raportojnë mediat e huaja. Në atë moment hetuesit nisën aksionin, duke prangosur të dyshuarit. Shqiptari sapo pa oficerët, nxitoi të fshihte zarfin e tij nën xhaketë.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 100 doza kokaine dhe kraku, ndërsa në shtëpinë e tij u sekuestruan 600 gramë drogë, peshore precize, materiale paketimi dhe 40 mijë euro cash.

